Botërori 2026 do të shkruajë një kapitull të ri në historinë e futbollit.
Më 21 qershor, në Monterrey të Meksikës, sfida mes Tunizisë dhe Japonisë do të hyjë në historinë e Kupës së Botës si ndeshja e 1000-të e zhvilluar në historinë e këtij kompeticioni.
Një shifër simbolike për turneun më prestigjioz të futbollit për kombëtare, edicioni i parë i të cilit u zhvillua në vitin 1930.
Që nga ajo kohë, Kupa e Botës është shndërruar në një nga ngjarjet sportive më të ndjekura dhe më të rëndësishme në planet.
Përveç vlerës historike dhe statistikore, ndeshja mes Tunizisë dhe Japonisë do të ketë edhe rëndësi sportive.
Të dyja skuadrat bëjnë pjesë në Grupin F, së bashku me Suedinë dhe Holandën, dhe do të kërkojnë pikë të rëndësishme për të siguruar kualifikimin në fazën tjetër të turneut.
Në historinë e Botërorëve, ndeshja e 100-të u zhvillua gjatë Kupës së Botës 1954 në Zvicër, kur Austria mposhti Uruguain 3 me 1 në finalen për vendin e tretë.
Ndërsa ndeshja e 500-të u luajt më 30 qershor 1994 në Shtetet e Bashkuara, ku Nigeria fitoi 2 me 0 ndaj Greqisë në një sfidë të fazës së grupeve.
Botërori 2026 do të nisë më 11 qershor.