Synimi është që ekipi të kompletohet

Futboll

Synimi është që ekipi të kompletohet

Më: 11 gusht 2026 Në ora: 11:45
Vllaznia

Merkatoja e Vllaznisë ende nuk mund të konsiderohet e mbyllur.

Edhe pse skuadra kuqeblu ka marrë formë dhe në javët e fundit është afruar me atë që pritet të jetë grupi përfundimtar për sezonin e ri, drejtuesit vijojnë të kenë në tavolinë edhe disa çështje për t’u zgjidhur.

Synimi është që ekipi të kompletohet në mënyrën më të mirë të mundshme, përpara se të mbyllet zyrtarisht merkatoja. Prioriteti absolut duket se mbetet reparti ofensiv. Vllaznia kërkon një sulmues që të sjellë më shumë alternativë dhe mbi të gjitha garanci përpara portës.

Me Balajn dhe Perezin në grup, si dhe me lojtarët e tjerë ofensivë që mund të kontribuojnë në fazën sulmuese, kuqeblutë duan një profil që të bëjë diferencën dhe të rrisë konkurrencën për një vend në formacion. Pikërisht mungesa e golave në disa prej miqësoreve të zhvilluara deri tani e bën këtë pozicion edhe më të rëndësishëm. Një tjetër pikë që mbetet për t’u sqaruar është porta. Situata e portierëve ende nuk duket plotësisht e përcaktuar dhe drejtuesit po vlerësojnë alternativat në dispozicion. Pas zhvillimeve të fundit, ku emra të ndryshëm kanë qenë në orbitën e kuqebluve, klubi mund të ndërhyjë edhe në këtë repart, nëse gjendet profili i duhur.

Ideja është që konkurrenca në portë të jetë sa më e fortë dhe trajneri të ketë siguri në një pozicion që konsiderohet tepër delikat.

Kështu, pavarësisht se pjesa më e madhe e skuadrës tashmë është ndërtuar, puna në merkato nuk ka përfunduar. Drejtuesit e klubit duket se nuk duan të bëjnë lëvizje vetëm për hir të plotësimit të organikës, por kërkojnë futbollistë që realisht mund të rrisin nivelin e ekipit.

Kjo është edhe arsyeja përse po tregohet kujdes në zgjedhjet e fundit, me synimin për të shmangur gabimet dhe për të afruar lojtarë që përshtaten me idetë e trajnerit. Me afrimin e fundit të merkatos, ditët në vazhdim pritet të jenë të rëndësishme për Vllazninë. Sulmuesi mbetet objektivi kryesor, ndërsa porta është një tjetër çështje në vëmendjen e drejtuesve.

Puna do të vijojë deri në orët e fundit të merkatos, me klubin shkodran që kërkon ta mbyllë këtë proces me një skuadër sa më të plotë dhe konkurruese për sezonin e ri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat