Fundi i merkatos së verës ka dekretuar qëndrimin e Kristian Shpendit te Çezena në Serinë B të paktën deri në janar. Futbollisti ishte shumë pranë transferimit te Kremoneze, që e kërkonte me ngulm dhe ishte gati të paguante 4 milionë eurot që kërkonte klubi.
Por gjithçka dështoi pas ndeshjes mes Interit dhe Kaljarit në Serinë A, për shkak të një kombinimi që përfshinte në merkato tre klube. Çezena ishte gati të linte të lirë Shpendin të shkonte te Kremoneze, e cila do të largonte Bonacolin drejt Kaljarit dhe ky i fundit do të linte të lirë Xhenaro Borrelin që t’i bashkohej klubit aktual të Shpendit.
Por Borreli u aktivizua në ndeshjen e fundjavës ndaj Interit dhe në minutat shtesë pësoi një dëmtim në kofshë, për të cilin nuk dihet ende se sa do ta mbajë larg fushave të lojës. Kështu, Çezena hezitoi për afrimin e tij dhe nëse largonte Shpendin, do të mbetej pa alternativë në sulm.
Si rrjedhojë, u vendos që Shpendi të vazhdonte të mbetej pjesë e kësaj skuadre të paktën deri në janar, e më pas të vendoset se ku do të vazhdojë sulmuesi karrierën.