Qëndrimi i vërtetë i raportuar i INEOS për shkarkimin e Michael Carrickut është bërë i ditur pas fillimit të dobët të Manchester Unitedit në sezonin 2026/27.
Pavarësisht se e udhëhoqi Unitedin drejt vendit të tretë sezonin e kaluar, fillimi i këtij sezoni ka qenë i vështirë për Carrickun, pasi skuadra e tij renditet e 13-ta në elitë, me një fitore, një barazim dhe dy humbje në katër ndeshjet e para.
Problemet e Carrickut u shtuan pas humbjes 3-2 ndaj Brightonit në raundin e tretë të Carabao Cup në “Old Trafford”, e cila shkaktoi një reagim të zemëruar të tifozëve brenda stadiumit, me disa prej tyre që vunë në pikëpyetje edhe pozicionin e tij.
Megjithatë, siç raporton “TeamTalk”, Carricku ka mbështetjen e plotë të drejtorit të futbollit të Unitedit, Jason Wilcox, i cili dëshiron që anglezi të vazhdojë në detyrën e tij.
Edhe INEOS raportohet se nuk kanë ‘asnjë plan’ për ta shkarkuar Carrickun, me një burim që i ka thënë “TeamTalk”: “Klubi beson fuqishëm se ka një trajner të ri shumë të mirë te Michael Carricku. Nuk do të ketë reagime të nxituara këtu. Gjërat nuk kanë shkuar mirë për Michaelin dhe skuadrën në shumë aspekte deri tani. Dy gola fantastikë në Everton e penguan fitoren, në një ndeshje që duhej ta kishin fituar. Ndeshja e së dielës kundër Manchester Cityt u vendos nga një gol që edhe Premier League më pas e konfirmoi se nuk duhej të ishte akorduar”.
Laurie Whitwell i “The Athletic” gjithashtu ka pretenduar se nuk ka asnjë indikacion që Unitedi po shqyrton ‘alternativa në stafin teknik’, pavarësisht vëmendjes së fundit ndaj Carrickut dhe departamentit më të gjerë të futbollit.
Unitedi do të rikthehet në aksion si mysafir ndaj Fulhamit më 20 shtator dhe do të synojë t’i japë fund një serie prej dy humbjesh, pasi gjatë javës së kaluar humbi ndaj Manchester Cityt dhe Brightonit.
Carricku ka kontratë me Manchester United deri në vitin 2028, pasi nënshkroi një kontratë dyvjeçare për t’u bërë trajner i përhershëm në verë.
Carricku iu përgjigj spekulimeve gjatë konferencës për media të së premtes, duke thënë se pret që rezultatet e skuadrës së tij të përmirësohen, pavarësisht se ka humbur tri nga gjashtë ndeshjet e para këtë sezon.
“Mendoj se do të jetë shumë më gjatë se një ose dy ndeshje me rezultate. Duke lënë gjithçka mënjanë, për mua është e parëndësishme, e njoh klubin, e njoh rolin, e di se çfarë pritet këtu për sa i përket të luajturit në një standard të caktuar. I kuptoj të gjitha këto”, tha Carricku.
“Sa i përket të ardhmes, pronësisë dhe sa kohë kam në dispozicion, kjo është diçka krejtësisht e parëndësishme, është qesharake të mendosh në atë mënyrë në pozicionin ku jam, nuk është fare në radar. E kuptoj se çfarë duhet të arrijmë dhe ku jemi si klub futbolli. Janë dy ose tri ndeshje në të cilat nuk kemi marrë rezultatet e caktuara. Dy ose tri ndeshje shumë, sepse e urrej humbjen, por kjo nuk do të thotë se bota po shembet. Duhet të paraqitemi mirë dhe kemi shumë ndeshje për të planifikuar. Pikërisht këtë po bëjmë”, shtoi ai.
Duke folur për marrjen e përgjegjësisë për serinë e rezultateve të dobëta, ai shtoi: “Për këtë jam këtu. Është përgjegjësia ime, jam në rregull me këtë. Nuk është një lojë fajësimi. Gjithmonë kërkojmë gjëra për t’i parë dhe për të gjetur fajin, ndonjëherë kjo shkon shumë larg.
Më fajësoni mua, nuk ka problem, do ta marr përgjegjësinë, por nuk bëhet fjalë për të fajësuar njerëzit. Bëhet fjalë për të gjetur zgjidhje. Është një gjë kolektive. Bëhet fjalë për atë ku përqendrohesh në të vërtetë. Jam plotësisht i gatshëm të marr përgjegjësinë. Nuk ka problem me këtë, nuk më shqetëson. E di se ku duam të shkojmë dhe duam të arrijmë atje shpejt”.