Ish-futbollisti dhe trajneri i njohur i Vllaznisë dhe Kombëtares, Astrit Hafizi, ka qenë pjesë e një aktiviteti në Shkodër dhe ka shfrytëzuar këtë rast për të dhënë mendimin e tij rreth situatës së klubit shkodran.
Ai ka qenë i qartë në fjalët e tij se nuk e sheh ekipin aktual si pjesë të asaj që është tradita e Vllaznisë dhe sipas tij, ky është problemi kryesor i këtyre viteve pa suksese.
“Nuk mendoj se mund të bëj profetin në këtë drejtim, por të paktën me aq sa e kam ndjekur e sa mund ta ndjek, kohët e fundit më ka ftohur. Jo vetëm më ka ftohur, por edhe me ka bërë ndonjëherë nervoz. Ajo që më ka lënë pak shenjë, është mënyra e lojës që nuk më ka pëlqyer, se kemi dalë jashtë traditës tonë si Vllaznia.
Po dole jashtë traditës si Vllazni që kemi pasur lojën, anën teknike e taktike, është e vështirë të arrish rezultatin me disa mënyra të tjera që nuk janë tonat. Çdo skuadër ruan profilin dhe traditën e vet.
Mua më duket që pak kemi dalë nga kjo dhe vit pas viti mendoj se është treguar në momente të ndryshme, siç ishte humbja e kampionatit kur ishte ai gjermani trajner. U humb për disa momente pasigurie.
Pastaj erdhën ndeshjet e fundit ku u humb kampionati në sezonin e kaluar. Tregon që kemi dalë jashtë asaj që duhet të jemi. Nëse i përmbahemi mënyrës së lojës… se mënyrë tjetër nuk dimë të luajmë. Nuk dimë të luajmë në mbrojtje, as dimë të luajmë me lojë të ashpër e të fortë.
Një fakt kryesor është që në pjesën më të madhe të ndeshjeve kemi një lojtar mangët. Ose dalim me të kuq, ekipi tregohet ndonjëherë i padisiplinuar. Mirëpo kjo është e rëndë për një ekip siç është i yni”, tha ndër të tjera Hafizi para gazetarëve.