Lojtarët e kombëtares zvicerane shprehin keqardhje për mungesën e Granit Xhakës në grumbullimin stërvitor në Turqi.
Në një postim të kapitenit në Instagram, Xhaka ka marrë shumë mbështetje në komentet e ndjekësve.
Madje, solidaritet me të ka shprehur edhe një aktivist politik.
Granit Xhaka shpreh mirënjohjen e tij në Instagram për mbështetjen lidhur me polemikat rreth certifikatës së vaksinimit, ka shkruar mediumi zviceran “Blick”.
“Du weisch” (“Ti e di”), ka komentuar shoku i tij Ricardo Rodríguez, duke i shoqëruar fjalët me një zemër.
Edhe ish-bashkëlojtari Johan Djourou i ka dërguar zemra kapitenit të Zvicrës.
“Taking a moment to breathe” – “po marr një moment për të marrë frymë”, shkruan Xhaka në Instagram. Në vend që, siç ishte planifikuar, të stërvitej me kombëtaren në Belek të Turqisë dhe të luante në Ligën e Kombeve kundër Maqedonisë së Veriut, Skocisë dhe Sllovenisë, kapiteni Granit Xhaka, i cili të dielën mbush 34 vjeç, ka qëndruar në Sunderland pas rrëfimit të tij për blerjen e një certifikate vaksinimi.
Kapiteni i kombëtares është shfaqur në plazh në bregdetin verilindor të Anglisë.
“Faleminderit për të gjitha mesazhet, për çdo fjalë mbështetjeje”, ka shkruar ai.
Në komentet e postimit, Xhaka ka marrë shumë përkrahje, veçanërisht nga ish- dhe bashkëlojtarët e tij.
Për shembull, Breel Embolo ka shkruar: “Të dua. Ti je mjaftueshëm i mirë”, duke iu referuar një kënge që është bërë e njohur në rrjetet sociale.
Edhe për ish-mbrojtësin e kombëtares Johan Djourou, vëllain e tij Taulant Xhaka dhe Noah Okafor, gabimi i Xhakës nuk duket të jetë arsye për t'ia mohuar mbështetjen. Okafor i ka dërguar një zemër, Taulant Xhaka dy, ndërsa Djourou tri zemra.
Ricardo Rodriguez, një nga bashkëlojtarët më të afërt të Xhakës në kombëtare, ka komentuar:
“Du weisch”. Kuptimin e saktë të kësaj shprehjeje, sipas artikullit, e dinë vetëm ata të dy. Megjithatë, Rodríguez ka shprehur publikisht mbështetjen ndaj mikut të tij.
Në mesin e komentuesve është shfaqur edhe Nicolas Rimoldi, një figurë e njohur nga skena e kritikëve të masave anti-COVID. Kreu i Mass-Voll i ka shprehur Xhakës “solidaritetin e plotë”.
Në Ligën e Kombeve, tashmë vëmendja sportive është te lojtarë të tjerë dhe emra të rinj.
Megjithatë, edhe të rinjtë e kombëtares, Winsley Boteli, Sascha Britschgi dhe Johan Manzambi, të gjithë 20-vjeçarë, shprehin keqardhje për mungesën e kapitenit.
Manzambi ka thënë në kampin stërvitor:
“Ai është një lojtar shumë i mirë në fushë, një person shumë i mirë jashtë saj dhe një legjendë e kombëtares. Natyrisht që duam të jetë me ne. Fatkeqësisht, tani kjo nuk është e mundur.
Ne do të japim gjithçka për të dhe në ndeshjet e ardhshme do të përpiqemi të fitojmë edhe për të.”
Mbrojtësi i Parmës, Britschgi, në grumbullimin e tij të parë me kombëtaren, ka thënë se është për të ardhur keq që Xhaka nuk është aty, pasi është “një nga lojtarët më të rëndësishëm”.
Edhe Boteli ka shprehur keqardhje që nuk ka mundur ta njohë kapitenin nga afër dhe ka thënë se skuadra do të përpiqet ta zëvendësojë sa më mirë.