Të afruar me bujë

Futboll

Të afruar me bujë

Më: 26 shtator 2026 Në ora: 12:34
Bruno Brajkoviç

Dy futbollistë të Vllaznisë janë shndërruar në një mister në këtë nisje të sezonit.

Bëhet fjalë për Bruno Brajkoviç dhe Amin Tahirin, dy lojtarë me histori të ndryshme, por që kanë një të përbashkët: asnjëri prej tyre nuk ka qenë pjesë e listave të kuqebluve në pesë javët e para të kampionatit.

Në një moment kur skuadra shkodrane po përballet me probleme të shumta në formacion, mungesa e tyre ka tërhequr vëmendjen. Brajkoviç ishte afrimi i parë i Vllaznisë në merkaton e verës dhe erdhi me pritshmëri për të qenë një alternativë në krahun e djathtë.

Megjithatë, kroati nuk është parë në asnjë prej pesë takimeve të para të Superiores, duke mbetur tërësisht jashtë planeve të stafit teknik. Emri i tij tashmë është larguar nga radari i kuqebluve për ndeshjet zyrtare, ndërsa situata e tij vazhdon të mbetet e paqartë.

Bëhet e ditur se Brajkoviç nuk ka një problem fizik dhe vijon të jetë në gjendje për të stërvitur e luajtur. Çështja lidhet me faktin se ai nuk është preferuar nga stafi teknik, ndërsa lojtari duket se ka zgjedhur të qëndrojë në Shkodër, pavarësisht se nuk është përfshirë në listat e ndeshjeve. Në këto kushte, e ardhmja e tij me Vllazninë pritet të qartësohet më shumë në merkaton e janarit, kur do të hapet sërish mundësia për ndryshime në organikë.

Ndërkohë, një tjetër emër që është kthyer në mister është Amin Tahiri, afrimi i fundit i Vllaznisë gjatë merkatos së verës. Mesfushori shkodran kishte lënë përshtypje të mirë në miqësoret e fundit përpara nisjes së sezonit, duke dhënë sinjale se mund të ishte një alternativë e vlefshme për repartin e mesfushës.

Megjithatë, në pesë javët e para të kampionatit, Tahiri nuk ka qenë pjesë e listave të skuadrës. Në ndryshim nga Brajkoviç, situata e Tahirit lidhet me një problem fizik. Mesfushori ka kaluar një dëmtim muskulor që e ka mbajtur jashtë skuadrës gjatë kësaj periudhe, ndërsa tashmë pritet që me rikthimin e kampionatit të jetë sërish në dispozicion. Për Vllazninë, rikuperimi i tij mund të jetë një alternativë më shumë në një repart ku kuqeblutë kanë nevojë për freski dhe konkurrencë.

Kështu, dy futbollistë, dy histori krejt të ndryshme dhe një pikë e përbashkët: mungesa në pesë javët e para. Brajkoviç vazhdon të jetë jashtë planeve të stafit teknik, pavarësisht se nuk ka probleme fizike, ndërsa Tahiri pret rikthimin pas dëmtimit. Nëse mesfushori pritet të jetë një alternativë për ndeshjet e ardhshme, për kroatin mbetet ende e paqartë se çfarë do të sjellë vazhdimi i aventurës me kuqeblutë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat