Klubet e Premier Ligës kërkojnë dëmshpërblim nga Man City

Futboll

Klubet e Premier Ligës kërkojnë dëmshpërblim nga Man City

Më: 26 shtator 2026 Në ora: 15:44
Fotoilustrim

Vendimi në rastin financiar ndaj Manchester Cityt ka shkaktuar reagime të forta në Premier Ligë, me disa klube që po shqyrtojnë mundësinë e kërkesave për kompensim ndaj klubit anglez.

Sipas raportimeve të fundit, klubet rivale kanë kërkuar këshilla ligjore për të vlerësuar nëse mund të kërkojnë dëmshpërblim për humbjet financiare që pretendojnë se kanë pësuar si pasojë e shkeljeve të rregullave financiare.

Ndër humbjet e pretenduara përfshihen mundësia e humbur për kualifikim në Ligën e Kampionëve, të ardhurat nga pozicionet në tabelën e Premier Ligë dhe bonuset e lidhura me kontratat e sponsorëve.

The Athletic ka raportuar se Manchester City është gjetur përgjegjës për 114 nga 115 shkeljet për të cilat ishte akuzuar nga Premier Liga. Megjithatë, vendimi i plotë dhe sanksionet ndaj klubit ende nuk janë bërë publike, ndërsa City pritet të apelojë.        

Disa klube të Premier Ligës, përfshirë Arsenalin, Liverpoolin, Manchester Unitedin dhe Tottenhamin, raportohet se kanë ndërmarrë më herët hapa për të ruajtur të drejtën për të kërkuar dëmshpërblim në rast të një vendimi kundër Manchester Cityt. Deri tani, nuk është bërë e ditur se ndonjë klub ka dorëzuar zyrtarisht kërkesë për kompensim.

Çështja pritet të vazhdojë edhe përmes procesit të apelimit, ndërsa klubet rivale po vlerësojnë hapat e mundshëm ligjorë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat