Reali detyrohet ta ndërrojë barin shkaku i ndeshjes së NFL-it

Futboll

Reali detyrohet ta ndërrojë barin shkaku i ndeshjes së NFL-it

Më: 18 tetor 2026 Në ora: 19:48
Stadiumi

Real Madridi po përgatitet ta ndërrojë sërish fushën e stadiumit “Santiago Bernabeu”, pavarësisht se më në fund i ka zgjidhur problemet me barin që e kanë shqetësuar stadiumin gjatë viteve të fundit.

Sipas “MARCA”-s, klubi është shumë i kënaqur me gjendjen aktuale të fushës dhe beson se ka gjetur zgjidhjen e duhur për vështirësitë e kahershme në mirëmbajtjen e saj.

Megjithatë, ndeshja e ardhshme e NFL-së do ta detyrojë Real Madridin ta vendosë një fushë të re.

“Santiago Bernabeu” është caktuar të presë ndeshjen e NFL-së mes Atlanta Falcons dhe Cincinnati Bengals më 8 nëntor.

Përgatitjet do të nisin më 21 tetor, menjëherë pas ndeshjes së Real Madridit në Ligën e Kampionëve kundër RB Leipzigut.

Stadiumi do t’i nënshtrohet disa ndryshimeve për t’iu përshtatur futbollit amerikan, përfshirë modifikimet e sipërfaqes së fushës dhe vendosjen e vijave që shënojnë distancat në jardë, si dhe zonave fundore.

Kërkesat fizike të një ndeshjeje të NFL-së e bëjnë veçanërisht të vështirë ruajtjen e barit ekzistues.

Kontaktet e forta, ndryshimet e menjëhershme të drejtimit dhe presioni i përsëritur mbi sipërfaqen e fushës pritet të shkaktojnë dëme të konsiderueshme.

Për këtë arsye, Reali tashmë e ka planifikuar zëvendësimin e plotë të fushës pas kësaj ngjarjeje.

Pushimi i ardhshëm për ndeshjet e kombëtareve do të ofrojë një periudhë të përshtatshme për kryerjen e punimeve.

Kjo ndeshje pritet të shënojë gjithashtu rikthimin e Vinicius Juniorit, pas pezullimit prej katër ndeshjesh në La Liga.

Koha e këtij ndryshimi është veçanërisht zhgënjyese, pasi fusha e Bernabeut aktualisht është në gjendje të shkëlqyer.

Real Madridi ka shpenzuar shumë kohë për t’i zgjidhur problemet që lidhen me mirëmbajtjen e barit natyral në stadiumin e rinovuar.

Pasi më në fund ka arritur rezultatet e dëshiruara, klubi tani duhet ta nisë edhe një proces tjetër të zëvendësimit të fushës, për arsye që nuk kanë të bëjnë me futbollin.

Ka pasur gjithashtu spekulime se bari dhe fusha e tërheqshme mund të kenë ndikuar në problemet e Real Madridit me lëndimet.

Megjithatë, deri më tani nuk ka dalë asnjë provë që vërteton një lidhje mes sipërfaqes së fushës dhe këtyre lëndimeve.

Kjo situatë i vë në pah sfidat e funksionimit të “Bernabeut” si stadium shumëfunksional.

Organizimi i ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare është pjesë thelbësore e strategjisë së Real Madridit për të gjeneruar të ardhura edhe jashtë ditëve të zakonshme të ndeshjeve.

Ndeshja e NFL-së përfaqëson një tjetër mundësi për ta rritur vlerën komerciale të stadiumit dhe për ta forcuar profilin e tij ndërkombëtar.

Megjithatë, skuadra e futbollit duhet të mbetet përparësia kryesore. Një fushë e cilësisë së lartë është thelbësore kur skuadra e Mourinhos të rikthehet pas pushimit të kombëtareve.

Zëvendësimi i barit që tashmë është në gjendje të përsosur mund të duket si shpenzim i panevojshëm, por ruajtja e cilësisë së fushës pas një ngjarjeje të NFL-së është një masë e arsyeshme parandaluese.

Mbetet të shihet nëse Reali do të arrijë t’i minimizojë rreziqet që shoqërojnë zëvendësimin e barit dhe në çfarë gjendjeje do të jetë fusha në ndeshjen kundër Celtas.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat