Michael Carrick nuk duket se e ka një zgjidhje për ta nxjerrë Manchester Unitedin nga kriza e thellë, pasi “Djajtë e Kuq” u mposhtën bindshëm në shtëpi nga Bournemouthi me rezultat 0:3.
Kjo humbje pritet të ndikojë edhe më shumë në të ardhmen e Carrickut, i cili në fund të ndeshjes nuk e fshehu zhgënjimin, ndonëse tifozët vendas në “Old Trafford” e përcollën me duartrokitje.
“Ka qenë një ditë e vështirë, vërtet shumë e vështirë. Djemtë hynë në ndeshje me qëllimet më të mira dhe me dëshirën për të fituar, por e panë se sa e vështirë është. Kishte tension dhe nervozizëm, të cilat sollën pasiguri dhe na e vështirësuan edhe më shumë punën.
Pësuam dy gola pak para përfundimit të pjesës së parë dhe kjo i komplikoi të gjitha. Goli i parë erdhi pas një faulli të akorduar, ndonëse, sipas meje, nuk pati kontakt me futbollistin kundërshtar.
Goli i dytë erdhi pas gabimit të Yoros, i cili u rrëshqit.
Sinqerisht, më vjen keq për futbollistët. Nuk më vjen aspak keq për veten, por vetëm për ta, sepse e shoh se sa shumë punojnë çdo ditë, por prapëseprapë nuk po arrijnë ta marrin rezultatin që dëshirojnë”, deklaroi Carrick.
Trajneri i Manchester Unitedit u pyet edhe për vendimin që kapiteni Bruno Fernandes ta ndiqte të gjithë ndeshjen nga banka rezervë.
“Bruno është i gatshëm fizikisht dhe mund të luante. Ne vendosëm të fillonim me një formacion tjetër. Natyrisht, të gjithë dëshironim një rezultat ndryshe nga ai përfundimtar”, komentoi trajneri i “Djajve të Kuq”.