Cagliari mposhti minimalisht Frosinonen, ndeshje kjo e vlefshme për llogari të javës së 11-të të Serie A.
Sfida përfundoi 1-0 në favor të vendasve, ndërkohë që portieri Elia Caprile u vlerësua maksimalisht për performancën e ofruar në fushë.
Ndërsa goli i Adopo rezultoi deçiziv për marrjen e tre pikëve, detyrat e kryera nga Caprile ishin gjithashtu në lartësinë e duhur. Plot 9 pritje të bëra prej tij dhe vlerësimi maksimal nga “Sofascore”, 10 për italianin.
Duhet thënë se rasti i Capriles përbën interes të madh edhe për Shqipërinë, pasi portieri 25-vjeçar po konsiderohet për t’u afruar në të ardhmen. Vetë pajisja me pasaportën shqiptare, dekret i miratuar nga presidenti i Republikës, Bajram Begaj, bën që emri i tij të lidhet ngushtësisht me një mundësi konkrete për t’u rekrutuar nga Federata.
Në rast se tentativa do të rezultonte e suksesshme, për Kombëtaren do të ishte një alternativë luksi, ndërsa tek kuqezinjtë janë edhe Thomas Strakosha, Alen Sherri, Etrit Berisha, Mario Dajsinani edhe Klidman Lilo..