Ndeshja e fundit e javës së 13-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut (LPFM) do të zhvillohet sot, në orën 13:00, në stadiumin e qytetit në Gostivar, ku do të përballen Arsimi dhe Shkëndija e Haraçinës.
Bëhet fjalë për dy skuadra që, mund të thuhet, kanë harruar se kur janë gëzuar për herë të fundit pas një fitoreje. Skuadra nga Haraçina e kishte mposhtur Skopjen më 14 shtator me rezultat 1:0, ndërsa Arsimi kishte triumfuar pikërisht ndaj kundërshtarit të sotëm, në transfertë, me rezultat 0:2, më 22 gusht.
Pikërisht për këtë arsye, në Gostivar pritet një ndeshje shumë interesante. Fitorja dhe tri pikët janë të domosdoshme për të dyja skuadrat. Të dyja duhet patjetër të fitojnë. Në të kundërtën, situata do të komplikohet, veçanërisht për vendasit, të cilët kanë vetëm 10 pikë dhe synojnë triumfin në ndeshjen e sotme.
Shkëndija e Haraçinës, deri para disa javësh, ishte surpriza më e këndshme e kampionatit. Debutuesja në LPFM kishte zhvilluar paraqitje të mira dhe kishte regjistruar fitore, madje kishte pasur edhe paralajmërime se mund të luftonte për një vend që siguron pjesëmarrjen në garat evropiane të futbollit.
Megjithatë, realiteti është ndryshe: Shkëndijën e Haraçinës e pret një luftë e vështirë për mbijetesë.
Para ndeshjes së sotme, skuadra nga Haraçina ka 15 pikë dhe renditet në vendin e gjashtë në tabelë.
Pa dyshim, pritet një përballje interesante, pasi si Arsimi ashtu edhe Shkëndija e Haraçinës janë të vendosura ta ndërpresin serinë e rezultateve negative dhe të rikthehen te fitoret.