Akanji: Unë nuk jam i njëjti tip si Graniti

Futboll

Akanji: Unë nuk jam i njëjti tip si Graniti

Më: 11 nëntor 2026 Në ora: 12:09
Manuel Akanji do ta udhëheqë sërish Kombëtaren e Zvicrës si kapiten, në mungesë të Granit Xhakës

Pas mungesës së Granit Xhakës për shkak të lëndimit, Manuel Akanji merr sërish shiritin e kapitenit të Kombëtares së Zvicrës.

Para dy ndeshjeve të ardhshme, ai flet për çështjet më të rëndësishme që po shqetësojnë ekipin.

Për shkak të lëndimit të Granit Xhakës, Manuel Akanji (31) do ta udhëheqë Zvicrën si kapiten.

Mbrojtësi pranon se mënyra e tij e udhëheqjes ndryshon nga ajo e Xhakës.

“Unë nuk jam i njëjti tip si Graniti, kemi karakteristika të ndryshme. Ai është pak më i hapur dhe më i drejtpërdrejtë se unë. Unë ndonjëherë i lë gjërat të rrjedhin vetë”, - deklaroi Akanji në ditën e tretë të grumbullimit të kombëtares në St. Gallen.

Megjithatë, objektivat e tyre janë të njëjta:

“Qëllimi më i madh është ta sigurojmë gjithçka që në ndeshjen e parë dhe të rikthehemi në ligën më të lartë të Ligës së Kombeve”.

Sipas mediumit zviceran “Blick”, Zvicra tashmë i ka hedhur themelet këtij suksesi, pasi ka regjistruar katër fitore në katër ndeshjet e para.

Rasti Embolo

Një nga çështjet më të diskutuara në kampin zviceran lidhet me sulmuesin Breel Embolo.

Në një intervistë për gazetat e grupit mediatik “CH Media”, Embolo kishte kritikuar Federatën Zvicerane të Futbollit, pasi në shtator nuk ishte ftuar në kombëtare për shkak të çështjes së blerjes së certifikatave të falsifikuara të COVID-it.

Akanji, i cili po e zëvendëson Xhakën në rolin e kapitenit, u përpoq të mërkurën ta qetësonte situatën: “Ka disa gjëra që e shqetësojnë dhe për të cilat ai ka folur.

Ka gjithashtu çështje të caktuara që duhet të diskutohen brenda dhe kjo është bërë”.

Sipas tij, kjo është më shumë një çështje mes federatës dhe Embolos sesa një problem brenda ekipit.
“Në skuadër nuk është ndonjë problem i madh”
, theksoi Akanji.

Ai shprehu gjithashtu mbështetjen personale për sulmuesin:

“Ai është një mik i mirë i imi dhe unë e mbështes pothuajse në gjithçka. Prandaj mund ta kuptoj”.

A ekziston ndarja mes gjermanishtfolësve dhe frankofonëve?

Një tjetër sfidë është integrimi i futbollistëve të rinj që i janë bashkuar kombëtares gjatë muajve të fundit. Shumë prej tyre vijnë nga pjesa frankofone e Zvicrës.

A ekziston rreziku i krijimit të një ndarjeje mes dy grupeve gjuhësore?

Akanji e mohon këtë mundësi:

“Unë nuk shoh asnjë problem. Duhet të përshtatemi. Mund të përpiqemi edhe ne ta kuptojmë frëngjishten. Ndërkohë, unë tashmë mund të komunikoj me ta relativisht mirë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat