Një lajm i keq për Republikën e Irlandës është mungesa e kapitenit Nathan Collins, i cili është dëmtuar në ndeshjen në Linz dhe nuk do të jetë në dispozicion.
“Mungesa e tij është një goditje për Irlandën, sidomos duke pasur parasysh paraqitjen e sulmuesit të Kosovës Vedat Muriqi në ndeshjen e zhvilluar në Prishtinë dy muaj më parë, kur Collins nuk ishte në fushë.
Sulmuesi i Fenerbahçes kishte qenë vazhdimisht rrezik për mbrojtjen irlandeze dhe në fund kishte shënuar golin e fitores në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Në mungesë të Collinsit, në formacionin e Irlandës mund të aktivizohen Jake O'Brien ose John Egan”, shkruan media irlandeze “Rte”.
Për pjesën tjetër të ekipit, selektori irlandez Hallgrimsson duket se synon të bëjë sa më pak ndryshime, megjithëse pranon se lodhja nga ndeshja në Austri dhe koha e shkurtër e rikuperimit mund të ndikojnë.
“Nuk dëshiron të bësh shumë ndryshime kur gjërat funksionojnë, por duhet të shohim se si do të reagojnë futbollistët pas stërvitjes. Nuk jemi të shqetësuar për rotacionin, por vazhdimësia është shumë e rëndësishme në këtë nivel”, deklaroi ai.
Selektori irlandez ka vazhduar të besojë në treshen ofensive, me Troy Parrottin në qendër, të mbështetur nga Adam Idah dhe Jack Moylan.
Mbetet të shihet nëse kjo treshe do të luajë sërish së bashku. Po ashtu, është në pikëpyetje nëse Finn Azaz do të aktivizohet përsëri në një rol më të tërhequr në mesfushë, në skemën 5-2-2-1.
Hallgrimsson ishte më i kënaqur me paraqitjen e mesfushorit të Southamptonit në këtë pozitë gjatë ndeshjes së fundit kundër Austrisë.
Megjithatë, ai theksoi se ajo skemë ishte zgjedhur duke marrë parasysh mënyrën e lojës së Austrisë, ndërsa Kosova është një kundërshtar me karakteristika të tjera.
“Kosova është e kujdesshme në ndërtimin e aksioneve. Nuk niset shpejt përpara.
E qarkullon topin më ngadalë, me më shumë pasime në drejtim të sulmit. Por është shumë e shpejtë në rikthimin prapa dhe në mbylljen e hapësirave. Është një kundërshtar krejtësisht ndryshe dhe ne patëm vështirësi në ndeshjen që zhvilluam në Kosovë”, deklaroi Hallgrimsson.
Mësimi kryesor që trajneri irlandez ka nxjerrë nga humbja në Prishtinë është se skuadra e tij ishte treguar tepër pasive.
“I dhamë Kosovës shumë hapësirë dhe kohë për ta mbajtur topin. Kjo është njëra prej cilësive të tyre. Kanë pasime të sakta, zgjuarsi në lojë dhe depërtime pas mbrojtjes”, tha selektori irlandez.