Gjermanët të habitur nga kushtet në Kroaci: Shihet se jeni një komb i vaterpolit

Futboll

Gjermanët të habitur nga kushtet në Kroaci: Shihet se jeni një komb i vaterpolit

Nga: B.S Më: 18 nëntor 2026 Në ora: 13:50
Ja një pamje nga ndeshja Kroaci U-21 – Gjermani U-21, e zhvilluar në stadiumin Rujevica të Rijekës, ku fusha ishte e mbuluar me ujë

Kombëtarja e Kroacisë U-21 e ka mposhtur Gjermaninë me rezultat 3:2 në një ndeshje miqësore të zhvilluar të martën në stadiumin “Rujevica” të Rijekës.

Sipas mediumit kroat “Index”, skuadra e përzgjedhësit Ivica Oliç arriti fitoren pas përmbysjes së rezultatit, ndërsa ndeshja u karakterizua nga kushtet jashtëzakonisht të vështira atmosferike.

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe mjegullës së dendur, futbollistët patën vështirësi të mëdha në fushë.

Këto kushte u theksuan veçanërisht pas ndeshjes nga futbollistët dhe përzgjedhësi i Gjermanisë, Antonio Di Salvo.

Gazeta e njohur gjermane ‘Kicker’ publikoi një artikull me titullin: “Betejë në baltë për U-21: Askush nuk ka përjetuar kushte të tilla”, në të cilin përshkruhen vështirësitë me të cilat u përball kombëtarja gjermane në qytetin kroat.

Sipas gazetës, gjermanët në Rijekë u gjendën papritur në një situatë ku, përveç futbollit, u duhej të tregonin edhe aftësitë e tyre për t'u përshtatur me kushtet e ngjashme me ato të një fushe vaterpoli.
Në Gjermani një ndeshje e tillë as që do të fillonte”

Sulmuesi gjerman Max Moerstedt, i cili në minutën e 53-të shënoi golin për 1:1, pranoi se nuk kishte luajtur kurrë më parë në kushte të tilla.

“Mendoj se kushtet ishin shumë larg ideales. Në pjesën e dytë treguam shpirt të madh luftarak dhe për këtë është për të ardhur keq që në fund megjithatë humbëm.

Në Gjermani një ndeshje e tillë as që do të fillonte. Në përgjithësi, gjithçka u reduktua në duele për topin dhe pasime të gjata”, deklaroi Moerstedt për faqen zyrtare të Federatës Gjermane të Futbollit.

Me të njëjtin mendim ishte edhe kapiteni Joshua Quarshie, i cili vlerësoi se skuadra e tij nuk u përshtat mjaftueshëm shpejt me fushën e mbushur me ujë.

“Ndoshta është dashur ta ndryshonim më herët mënyrën e lojës, të përdornim më shumë topa të gjatë, ashtu si Kroacia, dhe të përpiqeshim t'i fitonim topat që mbeteshin të lirë.

Ajo që luajtëm sigurisht që nuk ishte futboll. Kroacia fitoi shumë duele, veçanërisht ato për topat e lirë, dhe pikërisht për këtë arsye në fund edhe fitoi”, deklaroi Quarshie.

Përzgjedhësi i Gjermanisë: Ishte si një lojë fati

“Është e vështirë të nxirren përfundime nga ndeshja. Po të ishte fjala për një ndeshje zyrtare, ajo do të duhej të ndërpritej.
Ishte si të luaje pingpong, asgjë më shumë se një test i karakterit. Fati nuk ishte në anën tonë”,
deklaroi përzgjedhësi gjerman Di Salvo.

“Kroacia ishte më e mirë se ne në 20 minutat e para, por më pas gjithçka u shndërrua edhe më shumë në një lojë fati.

Ne nuk i shfrytëzuam rastet tona, ndërsa Kroacia po. Nuk jam i kënaqur as me rezultatin e sotëm dhe as me humbjen ndaj Belgjikës, por, duke e parë në tërësi, kemi pasur një vit të mirë”, shtoi përzgjedhësi gjerman.

Gjermanët bënë shaka me vaterpolin kroat

Mediat gjermane i kushtuan vëmendje të veçantë ujit që ishte grumbulluar në fushë dhe që e ngadalësonte lëvizjen e topit.

Në disa momente të ndeshjes, ishte e vështirë të realizoheshin edhe pasimet më të thjeshta përgjatë tokës.
Drejtori ekzekutiv i Federatës Gjermane të Futbollit, Andreas Rettig, gjatë pushimit mes dy pjesëve bëri një shaka lidhur me kushtet në stadiumin Rujevica.

“Shihet se Kroacia është një komb i shkëlqyer i vaterpolit”, deklaroi Rettig për televizionin ProSieben Maxx, citim të cilin e përcollën edhe mediat gjermane.

Ndeshja përfundoi me fitoren e Kroacisë, 3:2.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat