Modriç shkaktoi çmenduri te Guleri vetëm me një koment

Futboll

Modriç shkaktoi çmenduri te Guleri vetëm me një koment

Nga: B.S. Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 12:50
Guler e Modriç

Arda Guler njoftoi përmes Instagramit se ka vazhduar kontratën me Real Madridin. Futbollisti turk do të qëndrojë në klubin madrilen deri më 30 qershor 2032.

Gjiganti spanjoll kështu e shpërbleu përparimin e mesfushorit të ri, i cili është shndërruar në një nga lojtarët kryesorë të skuadrës nën drejtimin e Jose Mourinhos.

Guler iu bashkua Real Madridit në korrik të vitit 2023, nga Fenerbahçe, kur ishte vetëm 18 vjeç. Transferimi i tij kushtoi 30 milionë euro.

Pas tri vitesh në Madrid, Transfermarkt ia vlerëson kartonin 100 milionë euro.

Deri më tani, ai ka zhvilluar 126 ndeshje për Realin, ka shënuar 22 gola dhe ka regjistruar 32 asistime. Me klubin ka fituar pesë trofe: Ligën e Kampionëve, Kupën e Botës për Klube, Superkupën e Evropës, kampionatin spanjoll dhe Superkupën e Spanjës.

Për Kombëtaren e Turqisë ka regjistruar 38 paraqitje.

Në shtator, Güler u shpall lojtari më i mirë i ri i Ligës së Kampionëve për sezonin 2025/2026.

Sipas mediumit kroat “Index”, edhe pse pas transferimit në Madrid ishte penguar nga lëndimet, ai gradualisht fitoi një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në skuadër, ku kishte ardhur si pasardhës i Luka Modriçit, sipas mediave spanjolle.

Këtë sezon është bërë pjesë e rregullt e formacionit titullar të Mourinhos.

Paraqitjet e tij kanë qenë të rëndësishme në serinë e suksesshme të Realit, i cili ka fituar të gjitha ndeshjet në Ligën e Kampionëve. Pas fitores në El Clasico në Camp Nou, Reali përsëri ka marrë kontrollin e fatit të tij në kampionatin spanjoll.

Sipas gazetës “Marca”, me vazhdimin e kontratës Reali dëshiron të shpërblejë paraqitjet e Gülerit, por edhe ta sigurojë qëndrimin e tij, pavarësisht interesimit të klubeve të tjera, veçanërisht atyre nga Premier League.
Kontrata e re përfshin edhe rritjen e pagës, duke e vendosur reprezentuesin turk në kategorinë e mesme të lartë të pagave në klubin madrilen.

Pas njoftimit për kontratën e re, Guler reagoi edhe në rrjetet sociale:

"Historia që ke shkruar dhe historia që ende duhet të shkruhet. Kur vesha për herë të parë fanellën e Real Madridit, e dija se po bëhesha pjesë e një historie të madhe. Sot ndiej të njëjtin krenari dhe të njëjtën lumturi, por me një përgjegjësi edhe më të madhe.

Të ndjekësh gjurmët e legjendave që kanë shkruar emrat e tyre në historinë e futbollit, në klubin më të madh në botë, për mua është një nder i jashtëzakonshëm.

Ëndrra ime është ta bart këtë fanellë edhe për shumë vite, të fitojmë së bashku trofe të rinj dhe një ditë të lë edhe unë gjurmën time në këtë histori të veçantë.

Dëshiroj t'i falënderoj të gjithë ata që kanë qenë pranë meje që nga dita e parë, veçanërisht presidentin tonë Florentino Pérez, familjen time, bashkëlojtarët, të gjithë anëtarët e stafit teknik dhe trajnerët me të cilët kam punuar.

Një falënderim të veçantë ua drejtoj tifozëve të Real Madridit në mbarë botën, të cilët gjithmonë na kanë dhënë mbështetje të pafundme.

Përpara na presin edhe shumë momente të bukura së bashku! Jam jashtëzakonisht i lumtur që do të vazhdoj të jem pjesë e këtij klubi. 2032."

Modriç shkaktoi çmenduri me urimin e tij

Menjëherë pas publikimit të Gulerit, në komentet e postimit u shfaq edhe Luka Modriç, i cili shkaktoi reagime të shumta pa shkruar asnjë fjalë.

Futbollisti kroat, i cili konsiderohej si lojtari që Guler do të pasonte te Reali, e përgëzoi turkun për kontratën e re vetëm me tri emoji.

Urimi i shkurtër i Modriçit mori shumë shpejt mbi 24 mijë pëlqime.

Guler vazhdimisht ka shprehur respektin e madh për Modriçin dhe ka treguar se ishte jashtëzakonisht i lumtur që për dy sezone pati mundësinë ta ndante zhveshtoren me legjendën kroate në Real Madrid.
Modriç më pas u largua nga Madridi dhe iu bashkua Milanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat