Po të luante Kosova si në pjesën e parë, do ta fitonte Austrinë

Hendboll

Po të luante Kosova si në pjesën e parë, do ta fitonte Austrinë

Nga: Kemajl Goca Më: 19 mars 2021 Në ora: 22:56
Kosova

Kosova bëri një paraqitje të lakmueshme në kualifikueset për në Kampionatin Botëror,  ani pse humbi me rezultat 26:20 nga Austria, që është organizatore e këtij turneu në kuadër të grupit 4.

Vashat e Kombëtares së Kosovës treguan lojë jashtëzakonisht të mirë në 30 minutat e parë kundër Austrisë, në një moment ishin në epërsi me 3 gola, pastaj u ngushtua rezultati në 9:7 (në minutën e 21-të) dhe e përmbyllën pjesën e parë me një gol diferencë (12:11) në favor të tyre. 

Kur u mbyllë pjesa e parë, austriaket ishin në presion të madh dhe vërehej qartë shqetësimi i tyre, sepse ishin në disavantazh, por në pjesa e dytë kishte tjetër kaptinë, duke ndikuar paksa edhe lodhja të vashat tona. 

30 minuta e parë për lakmi të vajzave tona, që i mbajtën në presion të madh austriaket. Hendbollistet Fitore Aliu dhe Mirela Gjikokaj, që shënuan 7 gola përkatësisht 6, ishin dyshja fantastike, mirëpo gjithçka u përmbys në pjesën e dytë.

E gjithë kjo kishte të bënte me faktin se munguan tri lojtaret kryesore, Leonora Demaj, Mirjeta Bytyqi dhe Albana Arifi. Po të ishin edhe këto lojtare, sigurisht se do të këndohej tjetër këngë. 

Megjithatë, selektori Agron Shabani, me gjithë mungesat e mëdha, e  gjeti formulën e lojës dhe i futi goxha në telashe austriaket, përkundër humbjes me rezultat 26:20, dha sinjalin e qartë, se ka një kombëtare të mirë dhe që mund të bëjë gjëra të mëdha në të ardhmen.

Shkurt e shqip, është punuar mjaft shumë dhe vit pas viti po rritet kombëtarja nën drejtimin e Agron Shabanit dhe ndihmësit të tij, Faruk Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat