Kosova me pak shpresa për kualifikim, Mali i Zi fiton

Hendboll

Kosova me pak shpresa për kualifikim, Mali i Zi fiton

Nga: Kemajl Goca Më: 28 prill 2021 Në ora: 21:07
Kosova me pak shpresa për kualifikim, Mali i Zi fiton

Kombëtarja e Kosovës ka pasur rastin më të mirë në historinë e saj, që me fitore të kualifikohen në Kampionatin Evropian në hendboll (meshkujt). 

Djelmoshat tanë pësuan humbje si vendas me rezultat 27:22(13:10) nga Mali i Zi, në ndeshjen që u zhvillua në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë. 

Hendbollistët tanë bënë edhe shumë gabime, që iu kushtoi edhe me humbje, ndërsa për Malin e Zi kjo fitore ia hap rrugën drejt Kampionatit Evropian. 

Në minutën e 18-të, Kosova kaloi për herë të parë në epërsi me 7:6, por me kalimin e kohës Mali i Zi përveç që barazoi edhe e thelloi epërsinë në 3-4 gola, për të përfunduar 30 minutëshi i parë me 10:13. 

Në pjesën e dytë Kosova e nisi fuqishëm dhe afrohet në rezultat 13:14, por jo edhe të përmbysin epërsinë e rivalit.
Kosova pati mundësi por gabuan në disa raste dhe kjo edhe shkoi në favor të rivalit.

Mali i Zi fiton me rezultat 27:22.

Mali i Zi tani renditet në vend të dytë me 4 pikë, Suedia është lider me 8, Kosova në pozitën e tretë me 3 dhe Rumania e fundit me 3. Kosova ndeshjen e fundit do të luajë në konak të Suedisë.

Duhet theksuar se Fatmir Muhaxheri ka drejtuar Kosovën, pasi që selektori Bujar Qerimi, shkaku i infektimit me Covid 19, nuk ka mundur të udhëtojë.

Drenit Tahirukaj me shtatë gola ishte më i miri te Kosova, ndërsa katër gola i realizuan Valon Dedaj e Fatlum Ahmeti. Te Mali i Zi më efikasët ishin Vasko Sevaleviq dhe Milosh Bozhoviq me nga pesë gola.

Kosova ka shpresa të vogla për kualifikim, vetëm nëse humb Mali i Zi nga Rumania dhe Kosova fiton në Suedi. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat