Hendbolli pas vitit 1998

Hendboll

Hendbolli pas vitit 1998

Nga: Kemajl Goca Më: 5 shkurt 2022 Në ora: 19:41
Topi

Shekulli 21 për hendbollin e Kosovës ka rëndësi të veçantë. Kreu i Federatës së hendbollit të Kosovës, që për disa vite rresht e drejtoi Mexhid Devaja, ka arritur sukses historik, që pakkush e kishte pritur.

Qysh nga viti 1998, por më fuqishëm gjatë vitit 2004, u intensifikuan përpjekjet për ndërkombëtarizimin e hendbollit të Kosovës, përkatësisht pranimin e Federatës së Hendbollit të Kosovës në Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF) dhe Federatën Evropiane të Hendbollit (EHF).

Kapitull i veçantë është veprimtaria e hendbollit pas vitit 1999.

Popullata e dëbuar me dhunë nga Kosova, po kthehej rrufeshëm në vendlindje. Kosovës po i kthehej edhe sporti, nisi të frymojë lirshëm edhe hendbolli.

Kampionati i parë i pasluftës nisi më 1999. Kampion doli Kastrioti i Ferizajt në të dy konkurrencat, ndërsa Trepça e Mitrovicës – në konkurrencën e juniorëve.

Kronika e shkurtër e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe e kontakteve me personalitetet më të shquara të hendbollit evropianë e botëror përfundoi me sukses.

Në vitin 1998 u bë vizita e parë në Bosnjë dhe Hercegovinë. Në dhjetor të vitit 1999 u bë vizita e radhës në Turqi. Nga 12 dhjetori i vitit 2000, kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave zhvilloi dy ndeshje me ekipin bullgar Pirin, në Blagoevgrad të Bullgarisë. Ekipet e njëjta luajtën përsëri në mars të vitit 2001.

Ndërmjet 6-11 shtatorit të shtator të vitit 2001, kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e meshkujve u ftua për të zhvilluar ndeshje miqësore me ekipe hendbollistike të Turqisë. Kosova zhvilloi dy ndeshje, me Keleçolun dhe Beshiktashin.

Më 28 nëntor të vitit 2001, ekipi turk Keleçolu zhvilloi një ndeshje miqësore në Prishtinë me përfaqësuesen e Kosovës. I njëjti ekip nga Turqia luajti edhe një ndeshje miqësore me Prizrenin (njërin nga ekipet e Superligës).

Më 2 korrik të vitit 2002, një ekip nga Kosova mori pjesë në turneun e hendbollit në rërë në Turqi. Kjo ishte hera e parë që ekipet kosovare morën pjesë në këtë lojë të re.

Një ndër takimet më të rëndësishme që i zhvilloi kryetari i FHK-së Mexhit Devaja dhe nënkryetari Fazli Berisha, ishte ai në Kajro të Egjiptit, më 13 korrik, me z. Hasan Mustafa, kryetar i Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit dhe kryetar i e Federatës së Hendbollit të Egjiptit.

Ky takim u shfrytëzua për të promovuar hendbollin kosovar në institucionet më të larta botërore dhe të kërkojë njohje ndërkombëtare, pas dhjetë vjet të mbijetesës.

Një ndër veprimtaritë e para ndërkombëtare ishte ndeshja e parë e zhvilluar në cilindo sport në mes të përfaqësueses së Egjiptit dhe përfaqësueses së Kosovës për të rinj (U 21) që u zhvillua më 15 dhjetor 2002 në Gjakovë (ndeshje kjo që rezultoi nga takimi i kreut të Federatës së Hendbollit të Kosovës me dr Hasan Mustafën gjatë vizitës së bërë më 13 korrik 2002).

Takimin e fitoi përfaqësuesja e Egjiptit me rezultat 32:21.

Në fillim të vitit 2003, Bordi i Federatës së Hendbollit të Kosovës nismën për rimëkëmbjen e Federatës Shqiptare të Hendbollit, e cila, edhe pse zyrtarisht e pranuar, nuk zhvillonte veprimtari as në rrafshin vendor, as në rrafshin ndërkombëtar.

Mexhit Devaja (kryetar) dhe Izet Gjinovci (sekretar i përgjithshëm), në ditët e para të janarit të vitit 2003, qëndruan dy herë në Tiranë dhe pas shumë kontaktesh, në ministrinë  e Shqipërisë, ia dolën të aktivizojnë këtë federatë pas 10 viteve të shuarjes së veprimtarisë në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar.

Kreu i FHK-së, i përbërë nga kryetari dhe sekretari, në fund të janarit të vitit 2003, qëndroi në Sarajevë, ku u pritën nga sekretari i përgjithshëm i Federatës boshnjake z.Smajo Karaçiq.

Në fund të këtij takimi mjaft të frytshëm, u arrit marrëveshja për një bashkëpunim edhe më të ngjeshur mes dy federatave. Rezultat i parë i këtij bashkëpunimi ishte pjesëmarrja dhe ligjërimi i dy ekspertëve në seminaret e FHK-së para Shoqatave të trajnerëve dhe gjyqtarëve, i cili u sendërtua në fund të shkurtit të vitit 2004.

Delegacioni i Federatës së Hendbollit të Kosovës, me ftesë zyrtare të Federatës qipriote (të pjesës turke), prej 16-18 prill të vitit 2004, qëndroi në vizitë pune në këtë vend. Në vazhdën e veprimtarive ndërkombëtare, përfaqësuesja e Kosovës e hendbollit në rërë, ishte pjesëmarrëse e tri turneve tradicionale në Turqi dhe në Qipron Veriore.

Në turneun “Allania 2003”, që u bë prej 24 – 29. 6. 2003 Kosova zuri vendin e gjashtë, ndërsa në turneun “Antalia 2003” – prej 2 – 6.7.2003 të katërti. Portieri i përfaqësueses së Kosovës, Veton Hajrizi, u shpall portieri më i mirë i turneut. Në turneu “Qipro 2003”, që u bë prej 7 – 10. 7. 2003 përfaqësuesja e Kosovës pati rezultate shumë të mira – zuri vendin e dytë pasi humbi nga Turqia.

Në hapjen solemne të Kampionatit Botëror në hendboll për të reja, më 2 gusht 2003, në Ohër të  Maqedonisë, mori pjesë edhe delegacioni i FHK-së. Qëllimi ishte, që, përveç pjesëmarrjes në këtë ngjarje të rëndësishme botërore, të shfrytëzohet rasti për t’u takuar me vetë kreun e hendbollit botëror z. Hasan Mustafa, kryetar i IHF-së, si dhe me sekretarin e përgjithshëm të IHF-së z. Raimond Han.

Delegacioni i FHK-së, gjatë hapjes së Kampionatit Botëror te hendbollisteve ne Kroaci më 2.12.2003, pati takime me njerëzit udhëheqës të dy asociacioneve botërore IHF-së dhe EHF-së, z. Hasan Mustafa dhe z. Stefan Holmkvist, në takimin  e tyre të paraparë nga z. Mustafa në Split gjatë hapjes se Kampionatit botëror të femrave, më 3 dhjetor 2003.

Pas takimit të Splitit, Mexhit Devaja dhe Izet Gjinovci, nga data 10-11dhjetor 2003, qëndruan në vizitë pune në Tiranë, ku u pritën nga z.Myrteza Miftari kryetar i FSHH-së dhe Stavri Bello, sekretar i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe me atë rast edhe zyrtarisht u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit në mes dy Federatave me bazë reciprociteti.

Me ftesë të Federatës bullgare të hendbollit, përkatësisht të sekretarit të përgjithshëm z. Rumen Ivançev, delegacioni kosovar, më 17 dhe 18 dhjetor 2003, qëndruan në një vizitë pune në Bullgari. Me këtë rast nga pala bullgare u vërtetua se FHK-ja do të ndihmohet në anëtarësim pranë EHF-së.

Në “Evropianin 2004“, në Slloveni, morën pjesë zyrtarët e Kosovës, ku u pritën nga zyrtarët e Federatës sllovene të kryesuar nga kryetari z. Zoran Jankoviq (kandidat për kryetar të EHF –së), drejtori i Kampionatit të 6-të evropian z. Leon Kalin, sekretari i përgjithshëm z. Leopold Kalin dhe anëtari i Këshillit të Organizimit të Evropianit z. Herbert Jegliq.

Zyrtarët e Federatës sllovene e përkrahën dhe premtuan se do ta mbështesin anëtarësimin  e FHK-së në EHF, duke theksuar se ata nuk kanë hezituar fare që FHK-në ta e thërrasin si mysafire në këtë kampionat.

Kreu i FHK-së u takua edhe me njeriun e parë të hendbollit evropian z. Stefan Holmkvist. Gjatë qëndrimit në Slloveni kosovarët bënë shumë udhëtime për t’i përcjellë takimet dhe për të takuar zyrtarët e federatave gjegjëse, siç ishte takimi në Kopër me z. Jean Verigneci, nënkryetar i Federatës franceze të hendbollit.

Frytdhënës ishte edhe takimi me kryetarin Pavol Derfenyi dhe nënkryetarin e Federatës Sllovake z. Jozef Ambrus, njëherësh edhe anëtar i Komitetit ekzekutiv të EHF-së dhe përgjegjës për lëmin e gjykimit. Z. Ambrus nga Sllovakia, sikur edhe atë të trajnerëve  z. Frantishek Taborski, nënkryetar i Federatës çeke të hendbollit dhe anëtar i Komitetit ekzekutiv (Këshillit drejtues) të EHF –së.

Nga data 10 – 13 mars 2004, përfaqësuesja e Kosovës, Tefik Mikushnica (përzgjedhës), Vehbi Leku (mjek), Bekim Dashi, Fisnik Salihu, Taip Ramadani, Agron Shabani, Arben Muçolli, Florent Beqiri, Burim Zaskoku, Florim Haxhimusa, Leonard Cula, Flamur Salihu, Alban Dobroshi, Riad Hasani, Hamëz Gjuka, ishte mysafire e Lidhjes së Sportit të qytetit Esen nga Republika e Gjermanisë.

Me atë rast zhvilloi edhe një takim miqësor me përfaqësuesen e Esenit duke korrur fitore me rezultat të lartë 39:30.

Mexhit Devaja dhe Izet Gjinovci, morën pjesë në punimet e Kongresit të 7-të të EHF-së, që u mbajt nga data 7 dhe 8 maj 2004. E veçanta e këtij Kongresi ishte kërkesa e FHK-së për anëtarësim, që formalisht u prapësua për shkak të shpërfilljes së afatit ligjor për konkurrim.

Mirëpo, ajo u diskutua dhe në fund u fut si konkluzion e këtij Kongresi.

Në debatin lidhur me pranimin  e anëtarëve të rinj të EHF-së, Skocia u pranua, sepse  i kishte të gjitha dokumentet e nevojshme (pëlqimin  e Britanisë së Madhe dhe të KNO-së), kurse kërkesa e Kosovës dhe e Monakos u vendos të shqyrtohet në dhjetor në Kongresin e IHF-së, apo në ndonjë Kongres tjetër të jashtëzakonshëm të EHF-ë.

Kërkesa e Kosovës u gjend në rend të ditës dhe u diskutua në mënyrë shumë pozitive nga kryetari Stefan Holmkvist. Ai sugjeroi që t’i ndihmohet Kosovës të anëtarësohet në familjen evropiane të hendbollit.

Askush nuk ishte kundër propozimit të tij që kjo të jetë si konkluzion i Kongresit, gjë që tregon se pjesëmarrja e Kosovës në këtë Kongres ishte shumë e suksesshme dhe e frytshme.

Kryetari i FHK-së, nga data 10-14 tetor 2004, qëndroi në një vizitë pune në selinë e IHF-së në Bazel të Zvicrës. Pos kompletimit të dokumentacionit të kërkesës për pranim në IHF, pati edhe një takim pune me dr Hasan Mustafën, me ç`rast u bisedua për mundësitë dhe gjasat reale të FHK-së për pranim në IHF gjatë muajit dhjetor 2004, kur u mbajt Kongresi i 30-të i IHF-së.

Gjatë qëndrimit në Bazel, u bënë konsultimet rreth takimit që do të ketë FHK-ja me delegacionin e SMZ-së në Vjenë, më 15.10.2004.

Pas kësaj vizite dhe pas bisedimeve të zhvilluara erdhi ftesa zyrtare nga EHF-ja për pjesëmarrje në bisedime me kreun e EHF-së dhe të SMZ – së  në Vjenë, më saktësisht në selinë e Federatës evropiane të hendbollit.

Takimi i parë zyrtar në mes të delegacionit të FHK-së në përbërje z. Mexhit Devaja (kryetar i FHK-së), z. Izet Gjinovci (sekretar i përgjithshëm i FHK-së) dhe Xhevat Shabanaj (interpretues gjuhësor) dhe atij të Bashkësisë së Hendbollit Serbi dhe Mali i Zi  në përbërje z. Zoran Radojiçiq (kryetar i BHSMZ), Zoran Miqoviq (kryetar i Asamblesë të kësaj bashkësie) dhe Bozhidar Gjurkoviq (sekretar për marrëdhënie ndërkombëtare pranë kësaj bashkësie), u bë më 15 tetor 2004.

Nga Federata Evropiane  e Hendbollit ishin z. Mihail Viderer (sekretar i përgjithshëm dhe z. Jan Tuik (përgjegjës për gara pranë EHF –së dhe anëtarë i Komitetit ekzekutiv të EHF-së), si dhe Vesna Llaziqi nga zyra e EHF- së.

Në përmbyllje të takimit, z. Mihail Viderer tha: “Është mirë se në këtë takim ndodhet edhe z. Jan Tuik, përgjegjës për garat e Kupave të Evropës dhe anëtar i Komitetit ekzekutiv, i cili do t’i raportojë Komitetit ekzekutiv lidhur me specifikën e garave, kurse ne, pa marrë parasysh qëndrimet tuaja, vendimet do t’i marrim në mbledhjen e Komitetit ekzekutiv të EHF-së më 6.11.2004, kur edhe mbahet konferenca e kryetarëve të federatave të Evropës”.

Më 6.11.2004 në Vjenë, u mbajt mbledhja e Komitetit ekzekutiv  të EHF-së, dhe pas përfundimit të takimit kreu i EHF-së, Tor Lian dhe sekretari i përgjithshëm z.Mihail Viderer, e njoftuan kryetarin e FHK-së z.Mexhit Devaja ( i cili në këtë takim ishte vetëm) për vendimin e Komitetit ekzekutiv të EHF-së, i cili në mbledhje vendosi unanimisht (9), që kërkesa e FHK-së të jetë në rendin e ditës të Kongresit të jashtëzakonshëm, i cili u mbajt në Budapest të Hungarisë më 18.11.2004.

Delegacioni i FHK-së, nga data 1 – 5.12.2004, mori pjesë në punimet e Kongresit të 3-të të IHF-së,  i cili u organizua në El Goyna të Egjiptit. Në Kongres delegacioni shkoi me dy qëllime, që i arriti plotësisht: së pari, të shikohet mundësia e pranimit të FHK-së në IHF, dhe, së dyti,  të kërkohet edhe një herë mbështetja nga përfaqësuesit e disa shteteve evropiane para Kongresit të EHF-së.

Me ftesë zyrtare të Federatës së Hendbollit të Luksemburgut, nga data 16-21 dhjetor 2004, Përfaqësuesja e Kosovës mori pjesë në turneun ndërkombëtar  “Katër kombet” në Betemburg. Në këtë turne morën pjesë edhe Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu. FHK-ja u paraqit me përfaqësuesen “A”.

U arrit një sukses i madh; turneu organizohej në çastin kur edhe kërkesa e FHK-së ishte në rend të ditës në Kongresin e jashtëzakonshëm të EHF-së  më 18 dhjetor në Budapest.

Kjo veprimtari e sensibilizonte edhe më shumë hendbollin kosovar. Kosova shënoi fitore ndaj Holandës me rezultat 30:26 (11:11), kurse humbi nga Luksemburgu me rezultat 25:19 (12:8) dhe Belgjika 32:22 (15:14).

Derisa përfaqësuesja e Kosovës zhvillonte ndeshjet e para zyrtare ndërkombëtare në nivele të përfaqësueseve në Luksemburg, delegacioni i FHK-së (Mexhit Devaja dhe Izet Gjinovci), udhëtoi në Budapest, me shpresë  se përfundimisht FHK-ja do të anëtarësohet në EHF.

Më 18 dhjetor, në orën 9, në sallën e Kongreseve të Hotel “Helia”, filloi punimet Kongresi i jashtëzakonshëm i EHF-së.

Delegacioni i FHK-së kishte përgatitur materiale të ndryshme të marketingut, siç ishin fanellat me mbishkrim dhe emblemë të FHK-së, emblema e FHK-së, flamuj dhe broshura të ndryshme në anglisht. Të gjitha këto ua shpërndanë pjesëmarrësve para fillimit të punimeve të Kongresit. Në ndërkohë, në punimet e Kongresit i erdhi radha edhe pikës së nëntë, shqyrtimi i kërkesës së FHK-së për pranim në EHF.

Delegacioni kosovar, i cili i ndiqte punimet drejtpërdrejt u udhëzua ta lëshojë sallën e Kongresit për aq kohë sa do të shqyrtohej kërkesa e FHK-së. Pas dhjetë minutash dhe ftesës që prapë të rikthehen në sallë, delegacionit tonë iu komunikua vendimi i Kongresit se FHK-ja nga dita e 18 dhjetorit të vitit 2004, është anëtare e EHF-së, me 20 vota për, 10 abstenime dhe 6 kundër.

7. Rruga deri në IHF

Të arriturat 57-vjeçare të hendbollit të Kosovës janë një histori e rëndësishme e sportit botëror. Kjo rrugë kaq e gjatë, gjatë shekullit 20 dhe  fillimit të shekullit 21, u përshkua me suksese të shënueshme. Pranimi i kushtëzuar në Federatën evropiane të hendbollit (EHF), është hapi i parë i bërë me shumë mund.

Skuadrat e Kosovës tash po i bëjnë planet se si të paraqitën sa më denjësisht zyrtarisht në garat e kupave evropiane.

Federata e Hendbollit e Kosovës po vazhdon me këmbëngulësi veprimtarinë në rrafshin ndërkombëtar. Në radhë është pranimi i plotë në Federatën evropiane të hendbollit (EHF) dhe në Federatën ndërkombëtare të hendbollit (IHF).

Më 5 shkurt 2007 në Bon të Gjermanisë më saktësishtë në ambientet e Hotel u mbajt mbledhja e Këshillit drejtues të IHF-it, dhe me këtë rast pasi u shqyrtua kërkesa  e FHK-së për pranim të plotë në IHF, u mor vendim që FHK-ja të fiton statusin e anëtarit me të drejta të kushtëzuara, vendim ky që u zyrtariza në Kongresinë  e  31-të të IHF-it, i cili u mbajtë nga data 27-28 prill 2007 në të cilin ishin prezent edhe delegacioni i FHK-së në krye me kryetarin Mexhit Devaja, Sekretarin e përgjithshëm Izet Gjinovci dhe anëtarin e Bordit Faruk Mujka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat