Alija: Veç kampion, vendi i dytë nuk vjen në shprehje

Hendboll

Alija: Veç kampion, vendi i dytë nuk vjen në shprehje

Nga: Kemajl Goca Më: 19 qershor 2022 Në ora: 16:03
Skënder Alija e Orgesa Gola

Shqiponja e Gjakovë dhe Ferizaj, do të përballen (nesër 17.30) në finalen e Kampionatit të Kosovës, në konkurrencën e pioniereve (femrat) në hendboll. 

Gjakovaret pretendojnë se janë bindshëm më të mira dhe synojnë vendin e parë.   

Skënder Alija, kryetar i KHF Shqiponja, tha se duan veç titullin e kampionit, sipas tij, vendi i dytë nuk vjen në shprehje.

“Rrjedha e kampionatit deri me tash ka shkuar fantazi, dje çerekfinalet dhe sot gjysmëfinalet, kemi mirënjohje nga Federata e Hendbollit e Kosovës. Nuk ka pas asnjë problem deri me tash, ne si klub i Shqiponjës jemi organizator teknik”, thotë Alija për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Alija mendon se ka ekipin bindshëm më të mirë dhe as që i trembet Ferizajt. 

“Synimet tona janë të jemi të parët, kurrgjë tjetër nuk vjen në konsideratë, megjithëse topi është i rrumbullakët dhe nuk i dihet.

Edhe terreni vendas e kemi si përparësi, por për momentin jemi bindshëm më të mirë. 

16 ndeshje krejt fitore bindëse, përveç një humbje me ‘Jusuf Gërvallën’ për shkak mungesës së tri lojtareve startuese, por në takimin e kthimit kualifikues të grupit, i mposhtëm me 14 gola dallim.

Kemi cilësi të lojtareve, kemi lojtare që luajnë lojë kolektive, shtatëshja e parë është e fortë, të prira nga Orgesa Gola, reprezentuese”, thotë Alija.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat