Kombëtarja e Kosovës në Slloveni për ndeshje përgatitore

Hendboll

Kombëtarja e Kosovës në Slloveni për ndeshje përgatitore

Më: 30 korrik 2022 Në ora: 15:29
Kombëtarja e Kosovës

Pas fazës së suksesshme përgatitore në Gjakovë, Kombëtarja U18 e Kosovës në hendboll ka udhëtuar për në Slloveni ku do t’i vazhdojë përgatitjet për Evropianin e muajit të ardhshëm.

Hendbollistët tanë tashmë janë vendosur në Rogashka Sllatina të Sllovenisë.

Të shtunën e kanë luajtur ndeshjen e parë përgatitore me Arabinë Saudite. Ishte në fakt kjo edhe ndeshja e parë e kësaj gjenerate të Kosovës U18. Rrjedhimisht fillimi i ndeshjes nuk ishte i mirë, por më pas ka pasur përmirësime të ndjeshme në lojën e djemve tanë. Arabët kanë fituar me nëntë gola dallim, ndërsa në shtabin teknik ka shpresë të madhe se paraqitja do të jetë dukshëm më e mirë në tri ndeshjet tjera.

Kosova U18 e luan edhe një ndeshje me Arabinë Saudite, ndërsa dy ndeshje i ka me Kuvajtin. Edhe Arabia Saudite e Kuvajti paraqiten me U18.

Ndeshjet miqësore vlerësohen të domosdoshme për përgatitje sa më të mirë për Evropianin që mbahet në Letoni prej 8 deri më 14 gusht. Në Kombëtaren U18 shumica janë lojtarë 16-vjeçarë, por me potencial.

Miqësoret në Slloveni, por edhe Evropiani në Letoni, do të jenë përvojë shumë e rëndësishme për karrierën e këtyre lojtarëve në hendboll.

Në Evropianin e Divizionit B, Kosova është në grup me Maqedoninë e Veriut, Letoninë e Turqinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat