Kombëtarja e Kosovës U-18 ka shënuar sukses të madh duke u kualifikuar në Kampionatin Botëror në hendboll.
Ky sukses i madh është edhe një dëshmi se ky sport në vendin tonë ka rritje dhe i bënë krenarë të gjithë.
Kapiteni i kombëtares së Kosovës, Olsi Mulaj, shprehet i ngazëllyer për suksesin e madh

Kosova ka pasur një rrugëtim të vështirë, dy fitore të zorshme, në gjysmëfinale (27:26) me SHBA-të dhe në finale pas dy vazhdimeve (34:30) me Nigerinë.
Në fakt, ku ishte qelësi i suksesit?

Kosova U18
"Si kapiten i Kombëtares të Kosovës, ky ishte një rrugëtim i vështirë, por ne gjithmonë kemi besuar në ekipin tonë dhe në punën e palodhur që kemi bërë.
Dy fitoret e fundit ishin të jashtëzakonshme, veçanërisht kundër SHBA-së në gjysmëfinale dhe Nigerisë në finale. Ishim të bashkuar, luftuam për njëri - tjetrin dhe për Kosovën.
Kualifikimi në Kampionatin Botëror është një ëndërr e realizuar dhe një moment historik për hendbollin kosovar. Tani duhet të punojmë edhe më shumë për t’u përfaqësuar denjësisht në Botëror", thotë Mulaj për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Olsi është përzgjedhur beku i majtë më i mirë i garës IHF Trophy.
“Jam shumë i nderuar që jam zgjedhur si beku i majtë më i mirë.
Ky është një shpërblim për punën dhe përkushtimin tim, por mbi të gjitha, është një pasqyrim i ekipit tonë dhe mbështetjes që kemi për njëri-tjetrin.
Hendbolli është një sport kolektiv, dhe pa shokët e ekipit, trajnerët dhe tifozët tanë, kjo nuk do të ishte e mundur.
Kjo më motivon edhe më shumë për të punuar fort dhe për të ndihmuar ekipin në sfidat që kemi përpara, veçanërisht në Kampionatin Botëror", shpreh krenarinë Mulaj.
Kosova është në mesin e 32 kombëtareve më të mira të botës. Synimi është që të befasojnë në Botëror.
Si e sheh Kosovën në Botëror?
“Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në hendboll dhe kualifikimi në Botëror është një dëshmi e përkushtimit dhe rritjes sonë si ekip. Ne e dimë që do të përballemi me kundërshtarë shumë të fortë, por nuk jemi këtu vetëm për të marrë pjesë duam të tregojmë se Kosova është një skuadër konkurruese.
Do të japim maksimumin në çdo ndeshje dhe do të luftojmë për çdo pikë. Objektivi ynë është të bëjmë paraqitje dinjitoze dhe të dëshmojmë se i përkasim këtij niveli”, ka përfunduar Mulaj.