Istogu nuk njeh humbje në palestrën sportive “Dresha” në Banjë.
Asnjë ekip në këtë palestër deri me tash nuk ka marrë fitore në përballje me kampionen e Kosovës në fuqi dhe lidere e tabelës.
Kryetrajneri Istogut, Faruk Shala, është krenar që vite me radhë nuk ka pësuar humbje në këtë palestër në cilësinë e vendasit.
“Palestra “Dresha” në Banjë - një kala e pathyeshme!
KHF Istogu, kampioni i Kosovës dhe lideri i Superligës në hendboll, nuk ka humbur asnjë ndeshje të zhvilluar në palestrën “Dresha” në Banjë. Kjo palestër ka qenë një fortesë e pathyeshme për kundërshtarët e skuadrës istogase.
Istogu është pa dyshim një nga skuadrat më të suksesshme sportive në Kosovën e pasluftës.
Sukseset dhe arritjet e tij janë edhe më të veçanta për shkak të vështirësive me të cilat është përballur klubi për 21 vite me radhë.
Përveç një periudhe dyvjeçare kur palestra e qytetit në Istog ishte funksionale, hendbollistet e Istogut kanë zhvilluar aktivitetet e tyre në kushte të vështira.
Megjithëse janë kampione të Kosovës, ato detyrohen të udhëtojnë çdo ditë nga Istogu në Banjë për stërvitje, duke kaluar një orë në rrugë për çdo seancë stërvitore.
Përkundër sfidave, ato vazhdojnë rrugëtimin drejt trofeve të radhës. Istogaset njihen si kampione të sakrificës, pasi gjatë gjithë ekzistencës së klubit janë përballur me mungesë infrastrukture dhe mbështetje minimale institucionale – një situatë e rrallë për një ekip kaq të suksesshëm.
Megjithatë, këto vështirësi nuk i ndalën. Përkundrazi, ato ngritën lart emrin e qytetit të Istogut, si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar, duke arritur rezultate të jashtëzakonshme që askush tjetër nuk i ka arritur deri më tani. Për to, hendbolli nuk është vetëm një lojë – është pasion dhe krenari.
Për shfrytëzimin e palestrës në Banjë tash e tetë vite rresht, klubi i është mirënjohës pronarit z. Gani Dreshaj, i cili e ka vënë në dispozicion palestrën pa pagesë. Për këtë, ekipi i shpreh falënderimet më të sinqerta, jo vetëm për të, por për të gjithë ata që në çfarëdo forme kanë ndihmuar Istogaset në rrugën drejt majave të suksesit”, shkruan në faqen e KHF Istogu.