Rahoveci po përgatitet për finalen e parë të play-off-it të Kampionatit të Kosovës në hendboll (meshkujt).
Djelmoshat e Rahovecit do të përballen me skuadrën me renome Kastriotin e Ferizajt, fitues i Kupës së Kosovës.
Kampioni në fuqi ka përparësinë e terrenit kundër Kastriotit.
Drejtuesit e KH Rahovecit janë gati për një finale madhështore ashtu siç i ka hije në tërësi hendbollit në shtetin tonë.
Finalja e parë luhet të dielën (më 18 maj) në orën 19.00 në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.
Drejtori i sportiv i KH Rahovecit, Afrim Deliu, tha se se qysh më herët kanë filluar përgatitjet për finalen e madhe.
“Përgatitjet për finalen e madhe kanë filluar nga momenti i fitores ndaj Prishtinës.
Ne jemi të vendosur që të vazhdojmë arritjet e jashtëzakonshme - në edicionin paraprak kemi shkruar historinë e sportit rahovecas, duke u bërë ekipi i parë i sporteve kolektive që shpallet kampion i Kosovës.
Kjo do të jetë baza jonë dhe mbi këtë duam të punojmë”, thotë Deliu për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Qyteti që po jeton me hendbollin, mezi e pret përballjen e parë finale.
Deliu thotë se Kastrioti është e vetmja skuadër që nuk e mposhten katër herë në edicionin e rregullt.
Rahoveci ka tri fitore e një barazim në garën e rregullt ndaj Kastriotit.
“Sigurisht, e kemi përballë një kundërshtar aspak të lehtë, Kastriotin, skuadrën e vetmë që nuk e mposhtëm 4 herë në sezonin e rregullt, pasi e arritën një barazim ndaj nesh si dhe na eliminuan në Kupën e Kosovës.
Mirëpo, cilësitë e kundërshtarit veçse na motivojnë për të treguar veten e sjellur trofeun e radhës në Rahovec.
Ne si ekip jemi gati, nga stafi e tek lojtarët dhe tifozet tanë, e kemi nje finale të fortë dhe besoj që do të japim gjithçka për të vazhduar me suksesin e radhës”, ka përfunduar Deliu.
Rahoveci synon titullin e dytë rresht të kampionit të Kosovës.
Mbrëmë kanë arritur marrëveshjen edhe me hendbollistin më të mirë në vendin tonë, Egzon Gjuka.