Skuadra më e organizuar dhe më e mira në Kosovë, Istogu, është përforcuar me hendbollisten Olikaka Jonedie Balotinelle.
Kampionja dhe fituesja e Kupës së Kosovës synon të paraqitet sa më mirë edhe në garat evropiane dhe të mbrojë edhe trofetë: Kupën dhe titullin e kampionit të Kosovës.
“Hendbollistja Olikaka Jonedie Balotinelle, e cila pati paraqitje mbresëlënëse në Kampionatin Botëror 2023 për seniore, i mbajtur në Danimarkë, është përforcimi më i ri i skuadrës kampione të Kosovës, Istogu.
Klubi i Istogut, që më 4 tetor zhvillon ndeshjen e parë në kuadër të Kupës Evropiane – EHF European Cup, ka ambicie të mëdha për këtë sezon. Me përkrahjen e sponsorëve të rinj dhe mbështetjen institucionale nga Komuna e Istogut dhe MKRS, synimi i përbashkët është i qartë: përfaqësimi sa më dinjitoz i Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Balotinelle, e cila ka fituar disa trofe vendorë dhe është gjithashtu kampione e kontinentit afrikan, vjen në Istog si një lojtare me përvojë të vlefshme nga nivelet më të larta të hendbollit botëror – ndonëse vetëm 21 vjeçe. Paraqitja e saj mbresëlënëse në kampionatin botëror ka nxitur drejtuesit e klubit që ta angazhojnë atë si pjesë të rëndësishme të skuadrës për synimet e reja evropiane.
Istogu, që mbetet kampione e shumëfishtë në vend, pritet të bëjë edhe disa ndryshime të tjera në përbërje, të cilat do të publikohen në ditët në vijim. Me një ekip të përforcuar dhe një vizion të qartë, klubi synon të arrijë suksese të reja ndërkombëtare, duke e çuar edhe më tej emrin e Istogut dhe të Kosovës në skenën evropiane të hendbollit”, njofton KHF Istogu.