Kampionja e Kosovës, Istogu, është në kaos të madh për faktin se nuk janë pajisur katër hendbollistë e tyre me viza nga ambasada e Portugalisë.
Kjo ka shkaktuar një kaos të papritur të klubi i Istogut, në këtë rast duhet kërkuar reagimin e Federatës Evropiane të Hendbollit.
KHF Istogu ka reaguar.
“Më datat 15 dhe 16 nëntor, skuadra jonë do t’i zhvillojë dy ndeshjet e raundit të tretë të Kupës së Evropës në Madeira, Portugali.
Edhe pse KHF Istogu është i vetmi përfaqësues nga Kosova që ka arritur në këtë fazë të garave evropiane për këtë edicion, fatkeqësisht problemet për skuadrën tonë nuk kanë të ndalur.
Fillimisht, klubi ynë u detyrua t’i zhvillojë të dy ndeshjet jashtë Kosovës, për shkak se nuk u sigurua një palestër sportive në vend, si pasojë e organizimit të balotazhit zgjedhor nëpër komuna.
Pas këtyre vështirësie, para rreth dy javësh, palestra private ku ekipi ynë zhvillon stërvitjet dhe ndeshjet, doli jashtë funksioni për shkak të defekteve në parket, çka bëri që skuadra për më shumë se 10 ditë të mos mund të mbajë stërvitje.
Por fatkeqësisht, problemet nuk përfunduan këtu. Ditëve të fundit, skuadra jonë është përballur edhe me një pengesë tjetër të rëndë autoritetet portugeze nuk kanë pajisur me viza katër hendbollistet tona për udhëtimin drejt Portugalisë.
Termini i parë i mundshëm për pajisje me viza, sipas Ambasadës së Portugalisë, është pas datës 16 nëntor, pra pas zhvillimit të ndeshjeve.
Kjo sjellje krijon perparësi të qartë për kundërshtarin ton, dhe nuk ofron kushte të barabarta për zhvillimin e një gare të ndershme dhe korrekte, pasi kampionja e Kosovës do të detyrohet të udhëtojë dhe të luajë me hendbolliste nga gjeneratat e reja.
Kjo situatë është thellësisht zhgënjyese për klubin tonë, i cili me shumë mund, përkushtim dhe investim, përfaqëson Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Megjithatë, përkundër këtyre pengesave, ne do të japim maksimumin për ta nderuar klubin dhe vendin tonë, si gjithmonë, me profesionalizëm, përkushtim dhe dinjitet", - reagon KHF Istogu.