Kastrioti i Ferizajt ka vazhduar me fitore në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Të shtunën mbrëma në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, në praninë e një numri të konsiderueshëm shikuesish, Kastrioti e mposhti Besa Famgasin me rezultat 37:31.
Ishte ky derbi i xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës në hendboll. Dhe ndeshja ka arsyetuar epitetin e derbit. Ishte e fortë dhe e hapur thuajse deri në fund.
Në pjesën e parë ekipi pejan, Besa Famgas bëri shkëputje deri në tri gola, (8:5, 9:6, 10:7). Por pas 30 minutave lojë rezultati ishte i barabartë, 16:16.
Me të nisur pjesa e dytë, skuadra vendase bëri shkëputje prej dy golash, por mysafirët nuk u dorëzuan.
Në minutën e 47-të ishte barazimi i fundit 24:24. Deri në minutën e 53-të, Kastrioti kishte epërsi prej vetëm një goli (28:27).
Më pas në skenë doli Wadi Chebbi me disa pritje rresht dhe skuadra ferizajase rriti epërsinë deri në fund.
Pos portierit Chebbi te Kastrioti janë dalluar edhe Felippe Teixeira e Adonit Isufi me nga gjashtë gola, si dhe Alban Haziri, Festim Mustafa e Jeton Bislimi me nga pesë.
Deniz Terziqi i shënoi nëntë gola për Besa Famgasin. Gjashtë i kishte Jon Vokshi, pesë Hamed Ahmed Khamis, kurse nga katër Ahmed Zayan Amrali dhe Elion Vokshi.
Kastrioti i ka 14 pikë nga tetë ndeshje. Është në vendin e dytë. Rahoveci i ka po ashtu 14 pikë nga tetë ndeshje në vendin e parë.
Besa Famgas renditet e katërta me tetë pikë nga gjashtë ndeshje.