Eugen Saraçini bëri tri gjëra të mëdha, nga Irlanda, Rusia e deri në Turqi

Hendboll

Eugen Saraçini bëri tri gjëra të mëdha, nga Irlanda, Rusia e deri në Turqi

Nga: K.Goca Më: 25 dhjetor 2025 Në ora: 14:41
Eugen Saraçini

Për 12 vite sa qëndroi në postin e presidentit të Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini do të mbetet një nga figurat më interesante dhe më frytdhënëse në historinë e këtij sporti në vend.

Gjatë tri mandateve të tij në krye të FHK-së, u shënuan tri arritje të mëdha. 

Saraçini mbahet mend edhe për qetësinë e tij, edhe kur kritikohej, ai nuk reagonte, duke thënë se secili ka mendimin dhe opinionin e vet në këtë botë demokratike.

Së bashku me sekretarin e përgjithshëm të ndjerë, Izet Gjinovci (i cili ndërroi jetë më 5 gusht 2024), Saraçini realizoi tri gjera të mëdha.

E para, më 21 shtator 2014, në Dublin të Republikës së Irlandës, Kosova u pranua si anëtarja e 50-të me të drejta të plota në Federatën Evropiane të Hendbollit (EHF).

E dyta, më 7 nëntor 2015, në Sochi të Rusisë, Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) u pranua me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF).

E treta, më 11 maj 2024, në Ankara të Turqisë, FHK u pranua me të drejta të plota në Konfederatën Mesdhetare të Hendbollit, një sukses tjetër i madh.

Në Ankara u realizua edhe një nga synimet e fundit të Izet Gjinovcit, gati tre muaj para se të ndërronte jetë.

Eugen Saraçini drejtoi “anijen” e hendbollit të Kosovës  me sukses dhe siguroi pranimin me të drejta të plota të FHK-së në EHF e IHF dhe në Konfederatën Mesdhetare. Ai njihej gjithashtu si mik i madh i Hassan Moustafa, presidentit të IHF-it, duke ndërtuar ura të rëndësishme bashkëpunimi për të ardhmen e hendbollit të Kosovës.

Pasardhësi i tij është Edin Kolgeci.

Duhet theksuar se FHK u pranua me drejta të kufizuara në vitin 2004 në Budapest të Hungarisë, në kohën kur ishte president Mexhit Devaja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat