Hendbollisti danez Simon Hald është dërguar në spital pasi pësoi një dëmtim në kokë gjatë gjysmëfinales së Kampionatit Evropian kundër Islandës.
Pivot-i i kombëtares daneze luajti vetëm pjesën e parë dhe nuk u rikthye në fushë në pjesën e dytë, pasi nuk u ndje mirë, raporton TV 2 Sport.
Trajneri i Danimarkës, Nikolaj Jacobsen, konfirmoi për mediat daneze se Hald është dërguar për kontrolle mjekësore.
“Simon u ndje keq dhe u dërgua në spital për ekzaminime.
Kaq mund të them për momentin”, deklaroi Jacobsen pas ndeshjes. Më vonë, në studion e TV2, ai shtoi:
“Mund të konfirmoj se ai është mirë, por sigurisht duhet të shohim nëse është e mençur që të luajë të dielën”.
Mungesa e Hald bëri që Magnus Saugstrup të ishte pivot-i i vetëm në dispozicion të trajnerit danez.
Hald pësoi dy goditje në kokë gjatë pjesës së parë – fillimisht në minutën e 18-të, kur u godit me bërryl nga Gísli Kristjánsson, dhe pak më vonë nga Elidi Víðarsson.
Trajneri Jacobsen pranoi se edhe për të mungesa e Hald ishte një befasi.
“Në fakt, as nuk e vura re menjëherë. Në fillim të pushimit nuk kishte asnjë shenjë, por më pas fizioterapistja jonë Anja erdhi dhe tha se Simon do të vinte për disa minuta – por kjo zgjati më shumë”, shpjegoi Jacobsen, duke përfunduar: “Gjëja më e rëndësishme tani është që Simon të shërohet.
Gjithçka tregon se do të jetë në rregull, pastaj do të shohim nëse mund të luajë të dielën”.