KHF Istogu me letër të hapur

Hendboll

KHF Istogu me letër të hapur

Më: 18 shkurt 2026 Në ora: 22:27
Palestra sportive në Istog

Kampionja dhe fituesja e Kupës Kosovës në hendboll, Istogu, përballet me vështirësi të shumta.

Klubi ka dalur me një komunikatë.   

“Drejtuar deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Qeverisë se Republikës së Kosovës dhe Komunës se Istogut

Përmes kësaj letre publike, dëshirojmë t’u drejtohemi institucioneve të Republikës së Kosovës me një kërkesë të arsyeshme, të drejtë dhe tejet të domosdoshme për qytetin e Istogut.

Duke marrë parasysh faktin se deri më sot nuk ka pasur asnjë iniciativë dhe asnjë përpjekje serioze për funksionalizimin e palestrës sportive në Istog, ndonëse jemi në vitin 2026 dhe kanë kaluar gati 30  vite nga përfundimi i luftës, I

stogu mbetet komuna e vetme në Kosovë pa një palestër sportive funksionale. Ndërtimi i palestrës ka nisur para më shumë se dy dekadash, por ajo asnjëherë nuk është përfunduar dhe nuk është vënë në shërbim të qytetarëve.

Në këtë situatë, sporti në Istog ka mbetur pothuajse tërësisht i anashkaluar. Klubet sportive të qytetit përballen me vështirësi të mëdha dhe rrezikojnë seriozisht shuarjen për shkak të mungesës së infrastrukturës adekuate.
Veçanërisht theksojmë se KHF Istogu është një ndër klubet më të trofeshme në Kosovë dhe ndër më të suksesshmet në arenën ndërkombëtare. Të gjitha këto suksese janë arritur në kushte jashtëzakonisht të vështira infrastrukturore. Përkundër ndërrimit të shumë qeverive nga subjekte të ndryshme politike ndër vite, asnjëherë nuk është arritur që Istogu të pajiset me një palestër sportive funksionale.

Duke qenë se aktualisht nuk ka asnjë iniciativë apo planifikim konkret për funksionalizimin e palestrës, qoftë nga Komuna e Istogut apo nga ministria e Sportit, ne si klub dhe si komunitet sportiv i drejtohemi publikisht Kuvendit të Republikës së Kosovës që në rishqyrtimin e buxhetit për vitin 2026 të përfshihet financimi për përfundimin dhe funksionalizimin e palestrës sportive në Istog.

Konsiderojmë se qyteti ynë e meriton një palestër sportive dinjitoze. Ky investim nuk është vetëm në interes lokal, por edhe në interes kombëtar dhe në funksion të zhvillimit të sportit në Kosovë.

Publikisht u bëjmë thirrje udhëheqësve të institucioneve të vendit që ta marrin seriozisht këtë kërkesë dhe ta trajtojnë me prioritet, ashtu siç e meriton një qytet me traditë dhe kulturë sportive.

Shpresojmë që kërkesa jonë të gjejë mirëkuptim dhe mbështetje”, shkruan në komunikatën e KHF Istogut.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat