Finlanda në Prishtinë, Kosova e mobilizuar për fitore! Shabani: Besojmë

Hendboll

Finlanda në Prishtinë, Kosova e mobilizuar për fitore! Shabani: Besojmë

Më: 7 mars 2026 Në ora: 13:06
Kombëtarja e Kosovës

Kombëtarja e Kosovës është gati për ndeshjen e dytë me Finlandën, pret përkrahjen e shikuesve.
Në Kombëtaren e Kosovës në hendboll është kthyer fokusi te ndeshja e dytë me Finlandën, që zhvillohet të dielën prej orës 17:15.

\Ndeshja Kosovë – Finlandë zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Pas ndeshjes së fortë dhe të barabartë të enjten në Vantaa, e që nuk u shpërblye me pikë, vajzat tona janë të përkushtuara për fitore në Prishtinë dhe kështu të mbesin në garë për kualifikim në Euro 2026.

Ndeshja i takon xhiros së katërt të fazës së dytë dhe të fundit kualifikuese për Evropian. Kombëtarja jonë është ende pa pikë në grupin e fortë ku janë edhe Franca e Kroacia, por me fitore me tri e më shumë gola dallim e kalon Finlandën në tabelë dhe mbetet në garë për kualifikim në Evropian.

Vajzat tona janë të vetëdijshme për rëndësinë e ndeshjes, ndërsa presin përkrahjen e shikuesve për ndeshjen me Finlandën. Cilësia e dy Kombëtareve vlerësohet e përafërt, kështu që përkrahja nga shikuesit mund ta bëjë dallimin.

Kombëtarja jonë do të jetë pa Melisa Mulajn, që pësoi lëndim në ndeshjen e së enjtes në Finlandë. Federata e Hendbollit e Kosovës i dëshiron shërim të shpejtë Melisës, që gjithnjë ishte në shërbim të Kombëtareve tona.
Selektori i Kosovës, Agron Shabani:

“Pas ndeshjes së parë në Finlandë, edhe pse rezultati nuk ishte ai që e dëshironim, ekipi ynë mbetet i fokusuar dhe i motivuar për ndeshjen kthyese.

Kemi analizuar gabimet që kemi bërë dhe jemi të vendosur të reagojmë me më shumë energji, disiplinë dhe luftë në fushë. Humbjet janë pjesë e sportit, por ato na motivojnë të punojmë edhe më shumë dhe të tregojmë karakter.

Besojmë në potencialin tonë dhe do ta japim maksimumin në ndeshjen e së dielës.

Ftojmë të gjithë tifozët dhe sportdashësit që të jenë pranë nesh dhe të na përkrahin nga tribunat. Mbështetja e tyre është forcë shtesë për ekipin”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat