Pivoti Kastriot Jupa është i gatshëm dhe shumë i motivuar për kthim në Kombëtaren e Kosovës.
Jupa së fundi ka luajtur për Kosovën më 10 nëntor 2024, në barazimin 33:33 me Holandën. Në dhjetor të vitit 2024 pësoi lëndim serioz të gjurit, ndërsa mungoi gjatë.
Hendbollisti me përvojë tashmë është në gjendje të mirë fizike, po luan rregullisht në Gjermani dhe pritet të jetë i rëndësishëm në Kombëtaren tonë për dy ndeshjet e javës së ardhshme me Bosnjë-Hercegovinën.
“Është ndjenjë shumë e veçantë të veshësh fanellën e Kosovës.
Për mua është gjithmonë burim krenarie. Pas një viti jashtë fushës së lojës, motivimi është edhe më i madh për të dhënë maksimumin për ekipin tonë”, ka thënë Jupa të dielën për faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës.
\Prej se ka nisur Kombëtarja jonë me ndeshje zyrtare, Jupa ishte pjesë shumë e rëndësishme e ekipit.
Ai ka luajtur në katër ndeshjet e kaluara me Bosnjë-Hercegovinën. Dy prej tyre u luajtën që në vitin 2016 e dy të tjera në marsin e vitit 2023.
“Bosnjë-Hercegovina ka ekip shumë cilësor dhe me përvojë. Por nuk është kundërshtar i pamposhtur. Kemi ekip që mund ta sfidojmë dhe besoj se mund të bëjmë diçka shumë të madhe. Shpresoj që kjo të jetë koha e duhur për të arritur diçka historike për ne dhe për hendbollin e Kosovës”, ka thënë Kastriot Jupa.