Boshnjakët në këmbë, po vjen Kosova! Ja çfarë thonë Doborac, Çordalija e Çollakoviq

Hendboll

Boshnjakët në këmbë, po vjen Kosova! Ja çfarë thonë Doborac, Çordalija e Çollakoviq

Nga: K.Goca Më: 18 mars 2026 Në ora: 17:15
Kombëtarja e Bosnjës dhe Hercegovinës

Kombëtarja e Bosnjës dhe Hercegovinës në hendboll do të zhvillojë të enjten ndeshjen e kualifikimeve për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror kundër Kosovës. 

“Përgatitjet e ekipit vendas janë në kulm, ndërsa pritshmëritë në kampin e Bosnjës janë të orientuara drejt fitores.

Përzgjedhësi Damir Doborac i ka në dispozicion të gjithë lojtarët që ka ftuar, me përjashtim të Elmas Avdiq, i cili do të mungojë për një kohë të gjatë për shkak të një dëmtimi në bërryl.

Të gjithë të tjerët janë të gatshëm për ndeshjen e ardhshme”, shkruan media boshnjake ‘Klix”.

“Na pret një ndeshje kundër një ekipi të mirë, i cili ka më shumë se 80 për qind të lojtarëve të njëjtë si para tre vitesh kur u përballëm në kualifikimet për Kampionatin Evropian.

Kohët e fundit kanë pasur vazhdimësi të shkëlqyer, gjë që ne nuk e kemi pasur në gjashtë muajt e fundit.

Janë një ekip i organizuar mirë, kanë një trajner të ri nga Suedia që kultivon stil skandinav loje, të cilin po përpiqen ta zbatojnë,” tha Doborac.

“Lojtarët tanë që janë këtu kanë minuta të mira në klubet e tyre dhe role të rëndësishme. Kjo shihet edhe në stërvitje. Atmosfera është e mirë, lojtarët janë në humor të mirë dhe plot vetëbesim.

Ne besojmë në vetvete, por do të hyjmë në ndeshjen e parë për të dhënë maksimumin,” vazhdoi ai.

Edhe Bekir Çordalija pritet të jetë në parket në Tuzla nesër mbrëma, duke theksuar se kombëtarja  e tyre ka rolin e favoritit në dy ndeshjet ndaj Kosovës.

“Kemi një mundësi të madhe sepse ndeshjen e parë e luajmë në shtëpi dhe para tifozëve tanë. Nëse japim maksimumin dhe marrim rezultat në Mejdan, do të shkojmë në Kosovë shumë më lehtë. Do të jemi më të fortë mentalisht dhe më të përgatitur për ndeshjen e dytë. Gjithashtu, përmes kësaj ndeshjeje do të kuptojmë mënyrën si luajnë dhe planet e tyre për të ardhmen,” shtoi Çordalija.

“Ne jemi më të shpejtë, më kompakt dhe më të kompletuar se kundërshtari.

Ekipi ynë njihet prej kohësh, kemi stërvitur bashkë dhe përparësia jonë është se mund të luajmë mirë në ritëm të lartë,” theksoi ai.

Lojtari i ri Faris Çollaković beson në ekip, duke theksuar se mund të arrijnë rezultat pozitiv.

“Përgatitjet po shkojnë mirë, të gjithë djemtë janë këtu. Shpresojmë më të mirën dhe synojmë fitoren. Do të doja t’i ftoja tifozët të na mbështesin sa më shumë.

Besoj se mund ta mbushim Mejdanin dhe kjo do të na ndihmonte shumë,” u shpreh Çollakoviq.

Ndeshja mes Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës zhvillohet nesër nga ora 20:00 në palestrën “Mejdan” në Tuzëll.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat