I ka vënë vetes kushtin kryesor, ta rrisë nivelin e lojës dhe suksesin e hendbollit të Kosovës.
Edin Kolgeci, president i Federatës së Hendbollit të Kosovës është optimist se me punë e investime së shpejti do të janë në rrugën e duhur.
Kolgeci ka folur për gjërat që e preokupojnë hendbollin në tërësi.

Hassan Moustafa, president i IHF-së e Edin Kolgeci
“Bota sot”: Cili do të jetë veprimi juaj i ardhshëm si president që mund të sjellë një hap të madh përpara për këtë sport?
Edin Kolgeci: Edhe pse nuk kam mbushur një vit të plotë në këtë detyrë, fokusimi im gjegjësisht i të gjithë neve që jemi të kyqur në federatë në mënyra të ndryshme në këtë periudhë është krijimi i një programi të zhvillimit të të rinjve kemi filluar me masterplan nga EHF) që do të ofrojë mundësi reale për talente të reja në hendbollin kosovar.

Ky program përfshin: Krijimin e akademive rajonale në bashkëpunim me shkolla dhe klube lokale për të identifikuar dhe stërvitur fëmijë dhe të rinj me potencial.
Rritjen e transparencës dhe profesionalizmit duke prezantuar raporte mujore për prindërit, trajnerët dhe federatën për progresin e secilit lojtarë apo lojtare.

Bashkëpunime me sponsorizime strategjike për të siguruar fonde që do të përdoren ekskluzivisht për infrastrukturë, pajisje dhe udhëtime të ekipeve të reja.
Ky hap strategjik ka potencialin të ndryshojë rrënjësisht të ardhmen e klubeve dhe të gjithë hendbollit në nivel lokal, duke krijuar një “brez të ri” lojtarësh të trajnuar profesionalisht dhe të motivuar për të arritur rezultate të larta në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Mirëpo na duhet punë, durim e besa edhe guxim.
“Bota sot”: Federata e Hendbollit të Kosovës është shquar për organizimin dhe mikpritjen e garave evropiane të Divizionit B. Cilat janë synimet tuaja në këtë drejtim në të ardhmen?
Edin Kolgeci: Federata e Hendbollit të Kosovës ka treguar një nivel të lartë organizimi dhe mikpritjeje në garat evropiane dhe botërore, dhe ky është një aset i madh për hendbollin tonë.
Synimi i federatës në të ardhmen është i bazuar për të rritur standardet organizative duke garantuar që çdo ngjarje të zhvillohet sipas parametrave më të lartë evropiane, nga logjistika tek siguria dhe komoditeti i ekipeve dhe tifozëve gjë që e kemi bërë edhe deri tash.
Po ashtu duhet zgjeruar angazhimin ndërkombëtar, duke ftuar më shumë klube dhe federata nga Evropa, për të rritur nivelin e konkurrencës dhe reputacionin e Kosovës në skenën ndërkombëtare.
Me këto organizime duhet investuar në zhvillimin e lojtarëve dhe trajnerëve, duke shfrytëzuar këto evente si mundësi për përvojë praktike, shkëmbim përvoje dhe rritje profesionale.
E më me rëndësi është që të angazhohemi për të fuqizuar promovimin dhe marketingun e hendbollit që të sjellim më shumë tifozë dhe sponsorizime, duke e bërë hendbollin një sport më tërheqës dhe të qëndrueshëm ekonomikisht.
Qëllimi është që Kosova të mos jetë vetëm vend mikpritës, por një referencë evropiane për organizim, profesionalizëm dhe sukses sportiv.
“Bota sot”: Cili do të jetë hapi tjetër i madh që synoni për rritjen e hendbollit në tërësi dhe për të luftuar të metat ekzistuese?
Edin Kolgeci: Hapi tjetër i madh që synojmë për rritjen e hendbollit në tërësi është një kombinim i investimeve infrastrukturore, zhvillimit të sportistëve dhe profesionalizimit të menaxhimit.
Për të qenë më konkret: Investimi në infrastrukturë moderne.
Krijimi ose përmirësimi i palestrave dhe qendrave sportive në të gjithë Kosovën, duke përfshirë edhe një palestër ekskluzive për Kombëtaren, që do të sigurojë kushte optimale stërvitore dhe për ndeshje ndërkombëtare.
Zhvillimi i talenteve, implementimi i akademive dhe programeve për të rinjtë, trajnerë dhe gjyqtarë, për të rritur cilësinë dhe profesionalizmin e sportit nga baza.
Sigurimi i sponsorizimeve dhe partneriteteve strategjike që mund të rrisin investimin në hendboll dhe të krijojnë më shumë mundësi për klubet dhe lojtarët.
Një nga punët kryesore është edhe përmirësimi i menaxhimit të federatës dhe klubeve, me procedura transparente dhe standarde të qarta, për të luftuar të metat ekzistuese si mungesa e koordinimit, financave të paqarta apo përfaqësimit jo të balancuar të interesave.
Në thelb, hapi kryesor është të ndërtojmë një sistem të qëndrueshëm dhe profesional, ku talentet zhvillohen, klubet funksionojnë si organizata serioze, dhe federata mund të sjellë rezultate të qëndrueshme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
“Bota sot”: A ndiheni i përmbushur me realizimin e objektivave që nga ardhja juaj në krye të federatës?
Edin Kolgeci: Paj...nuk mund të them që jam i përmbushur por padyshim që ndihem i kënaqur me progresin e arritur që nga marrja e detyrës, por jam i vetëdijshëm që duhet shumë më shumë punë nga të gjithë.
Gjatë kësaj periudhe kemi vendosur objektiva të qarta dhe kemi punuar në mënyrë të organizuar për zhvillimin e hendbollit në Kosovë.
Viti 2025 ka qenë një vit i rëndësishëm për federatën, dhe kemi arritur që të kemi organizim të mirë të garave kombëtare. Pjesëmarrje të klubeve dhe kombëtares e të gjitha moshave në gara ndërkombëtare. Organizim të shkollimit e seminareve për trajnerë dhe gjyqtarë.
Forcim të bashkëpunimit me institucionet sportive vendore dhe ndërkombëtare.
Fillimi i projektit apo master planit të hendbollit në shkolla. Këto arritje janë rezultat i punës së përbashkët me klubet, trajnerët dhe komunitetin e hendbollit. Synimi ynë mbetet që të vazhdojmë rritjen e cilësisë dhe ta vendosim hendbollin e Kosovës në një nivel edhe më të lartë ndërkombëtar.
“Bota sot”: A mbeten palestrat sportive një nga brengat kryesore për federatën dhe klubet?
Edin Kolgeci: Palestrat sportive mbeten një nga sfidat më serioze për zhvillimin e hendbollit në Kosovë dhe kjo tashmë nuk është vetëm çështje sportive, por edhe çështje e politikave publike.
Pa investime konkrete në infrastrukturë sportive, është e vështirë të pretendojmë zhvillim afatgjatë të sportit dhe përfaqësim dinjitoz ndërkombëtar.
Komunat duhet ta kenë sportin gjegjësisht hendbollin prioritet real dhe jo vetëm deklarativ. Ndërtimi dhe renovimi i palestrave sportive nuk është luks, por investim në rininë, shëndetin dhe imazhin e shtetit.
Sot, shumë klube hendbolli përballen me mungesë të termineve, kushte jo të përshtatshme dhe vështirësi në zhvillimin e gjeneratave të reja, gjë që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e sportit. Shembull konkret siç e përmenda edhe me parë është palestra në Istog që ka filluar ndërtimin qe 20 vjet dhe ka funksionu për një kohë të shkurtë dhe prap është e mbyllur.
Pasi që jemi te pyetja e palestrave duhet të përmendi edhe pyetjen e shpeshtë që më bëhet lidhur me ndeshjet e kombëtareve, se pse organizohen vetëm në Prishtinë e pse jo p.sh në Ferizaj.
Arsyeja kryesore është infrastruktura dhe kushtet që kërkohen dhe duhet të plotësohen.
Shpresoj që sivjet kushtet për ndeshjet ndërkombëtare të plotësohen edhe në qendra të tjera dhe mandej e kemi më lehtë.
Është koha që institucionet qendrore dhe lokale të marrin përgjegjësi më të madhe dhe të krijojnë strategji konkrete për zhvillimin e infrastrukturës sportive.
Pa palestra moderne dhe funksionale, zhvillimi i hendbollit dhe sportit në përgjithësi mbetet i kufizuar.
Shpresojmë që tani me aprovimin e ligjit për lojërat mesdhetare do të kemi investime kualitative dhe ne vendet e duhura.
Ne si federatë dhe klube do të vazhdojmë të kërkojmë mbështetje institucionale, sepse sporti nuk është vetëm garë, por investim në të ardhmen e vendit.
Personalisht, një nga brengat që më shqetëson më shumë në zhvillimin e hendbollit në Kosovë mbetet mungesa e palestrave. Duke qenë për shumë vite pjesë e hendbollit, e kam parë nga afër sa e vështirë është për klubet të funksionojnë pa kushte bazike për stërvitje dhe gara.
Ndoshta po përsëritem por besoj fuqishëm se pa investime serioze në infrastrukturë sportive, është e vështirë të flasim për zhvillim të qëndrueshëm. Palestrat sportive nuk janë vetëm hapësira për sport, por janë vende ku ndërtohen gjenerata të reja, ku zhvillohet disiplina dhe ku përfaqësohet dinjitetshëm vendi ynë.
Për këtë arsye, kjo mbetet një nga prioritetet kryesore që duhet të trajtohet me seriozitet nga të gjitha institucionet dhe akterët e sportit në Kosovë.
“Bota sot”: A synoni që në të ardhmen të keni një palestër ekskluzivisht për kombëtaren e Kosovës dhe a është kjo një kërkesë që i është drejtuar shtetit për investim?
Edin Kolgeci: Synimi ynë afatgjatë është të krijojmë kushte optimale për ekipin kombëtar të Kosovës në hendboll, duke përfshirë mundësinë e një palestraje ekskluzivisht për stërvitje dhe përgatitje të ekipeve kombëtare.
Kjo është pjesë e një vizioni më të gjerë për të ngritur standardet e sportit tonë dhe për të siguruar që hendbollistët tanë të kenë ambientet më të mira për performancë.
Natyrisht, realizimi i një investimi të tillë kërkon dialog dhe bashkëpunim me institucionet shtetërore dhe partnerët privatë, për të siguruar që çdo hap të jetë i qëndrueshëm dhe i qëlluar.
“Bota sot”: A planifikoni të përfshini emra të mëdhenj të hendbollit në hartimin e një strategjie afatgjatë për zhvillimin e këtij sporti?
Edin Kolgeci: Po. Unë mendoj që mjaft prej tyre kanë qenë dhe janë të përfshirë.
Megjithatë përfshirja e emrave të mëdhenj të hendbollit është një nga elementet kyçe për ndërtimin e një strategjie afatgjatë serioze dhe të qëndrueshme për zhvillimin e hendbollit në Kosovë.
Mirëpo duhet ta ceki se për të kontribuar nuk mund të gjithë ti fusim në udhëheqje të kombëtareve mirëpo të gjithë janë të mirëseardhur dhe do të mundohemi ti kyqim apo angazhojmë në tërë Kosovën.
Në kuadër të federatës ekziston edhe një i ashtuquajtur komision profesional por e kam menduar që së shpejti të propozoj që të formojmë një Këshill strategjik për zhvillimin e hendbollit ku do të përfshiheshin doajen dhe ish trajnerë, ish lojtarë të kombëtares, ekspert të sportit e të tjerë të cilët do të mund të kontribuonin së bashku me propozime, ide dhe këshilla se si të ecim përpara.
Unë shpesh e potencoj dhe qëndroj pas asaj që e them se dyert e zyreve tona janë të hapura për të gjithë që duan të kontribuojnë.
Mirëpo nuk po mundem pa e përmend që kemi edhe vështirësi që ndonjëherë ti bëjmë bashkë tre ose katër ekspertë apo personalitete për të punuar apo kontribuar së bashku.
E dini edhe ju shumë mirë këtë punë z. Kemajl. Duhet ti eliminojmë sa më shumë që mundemi inatet, thashethemet, ndërskamcat dhe kritikat pa vend posaçërisht nga ata që nuk dojnë të kontribuojnë sinqerisht.
Historikisht jemi mësuar të mbështetemi te vetja ose te rrethi shumë i ngushtë, duke e parë tjetrin me rezervë dhe skepticizëm. Duhet ta ndryshojmë qasjen nga "Unë" te "Ne", tek e fundit hendbolli luhet me shtatë lojtarë në teren dhe me bankë rezervë. Mjafton të funksionojmë në këtë mënyrë. Kur mendojmë si "Ne", suksesi i tjetrit nuk shihet më si kërcënim për egon tonë, por si një fitore për të gjithë komunitetin tonë.
Është ai momenti kur duhet të kuptojmë se fuqia nuk vjen nga të qenit "i pari i katundit", por nga të qenit pjesë e një ekipi që synon suksese dhe rezultate pozitive për të gjithë.
“Bota sot”: A mendoni se fondi prej 30% nuk po shfrytëzohet si duhet nga klubet dhe se kjo ka ndikuar në krizën e sportit?
Edin Kolgeci: Unë mendoj që ligji mbi sponzorizimin është një ligj shumë i mirë.
Sa i përket shfrytëzimit ajo m'varet edhe prej klubeve dhe institucioneve.
Vjet dhe sivjet vërehet një ulje e interesimit apo vullnetit të kompanive që mendoj se ka të bëjë edhe me gjendjen socio-ekonomike në vend e po ashtu edhe nga faktorë të tjerë që lidhen direkt me klubet.
Edhe nga eksperienca ime nga e kaluara e di që shumë klube në Kosovë nuk kanë kushte për të pasur staf administrativ profesional, nuk kanë jurist apo ekonomist por punojnë me vullnetarë.
Si rezultat, përballja me burokracinë bëhet shumë e vështirë, sepse kërkohet dokumentacion i shumtë i cili duhet përgatitur sipas rregullores. Nganjëherë ka edhe procedura të gjata aplikimi për shkak të shumë aplikimeve në të njejtën periudhë. Unë besoj që në të ardhmen e afërt edhe ministria do të shikoj mundësinë e thjeshtimit të procedurave si dhe afate më të shpejta vendimmarrjeje.
E më e mira që do të mund të bëhej që të kemi sa më shpejtë digjitalizimin e aplikimeve që do të ishte lehtësim edhe për ministrinë edhe për sportin në përgjithësi.
E kam ngritur si çështje dhe në takimin e ardhshëm me ministrin do ta përmendi prap.
“Bota sot”: A është koha që komunat dhe klubet të reflektojnë më shumë, të investojnë në kuadro profesionale dhe të sigurojnë financa afatgjata përmes njerëzve me autoritet?
Edin Kolgeci: Hendbolli në Kosovë ka një traditë të rëndësishme dhe një potencial të madh për zhvillim, por për të arritur një nivel më të lartë konkurrues, është koha që komunat dhe klubet të reflektojnë më thellë mbi mënyrën e funksionimit dhe strategjitë afatgjata.
Prap po e them, nga eksperienca personale e di dhe e dijmë që shumë klube ende funksionojnë mbi baza vullnetare, pa plane strategjike dhe pa staf të specializuar. Investimi në kuadro profesionale si drejtorë sportivë, trajnerë të licencuar, menaxherë marketingu dhe administratorë sportivë do të krijonte stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm. Ky është një hap i domosdoshëm për modernizimin e hendbollit kosovar.
Por lehtë është më e thënë apo me i evidentu kështu si unë e me tregu çka dhe si duhet kur të gjithë jemi të vetëdijshëm që elementi kyç është financimi afatgjatë. Klubet nuk mund të mbështeten vetëm në subvencione vjetore apo donacione të rastësishme. Nevojiten marrëveshje shumëvjeçare me sponsorë, bashkëpunim më i strukturuar me komunat dhe zhvillimi i projekteve që sigurojnë stabilitet financiar.
Pa këtë siguri, është e vështirë të ndërtohen ekipe konkurruese dhe të investohet në të rinjtë. Shpresoj që në të ardhmen e afërt do të ja dalim.
“Bota sot”: Çfarë keni realizuar deri më tani dhe cili projekt ju brengos më shumë që ende nuk ka arritur të realizohet për shkak të krizës financiare?
Edin Kolegci: Si President i Federatës së Hendbollit të Kosovës, gjatë mandatit tim njëvjeçar kemi arritur të realizojmë disa projekte të rëndësishme që kanë ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e hendbollit në vend.
Në radhë të parë, kemi punuar në stabilizimin organizativ të federatës dhe forcimin e bashkëpunimit me klubet, komunat dhe institucionet vendore e ndërkombëtare.
Kemi avancuar besoj në cilësinë e organizimit, transparencën dhe profesionalizmin në të gjitha nivelet.
Gjithashtu, kemi investuar në zhvillimin e kategorive të reja, sidomos në hendbollin e të rinjve dhe të femrave, duke organizuar liga të rregullta dhe aktivitete zhvillimore. Një tjetër arritje e rëndësishme ka qenë rritja e pjesëmarrjes së përfaqësueseve tona në garat ndërkombëtare, si dhe organizimi i seminareve dhe trajnimeve për gjyqtarë, trajnerë dhe staf profesional, me qëllim ngritjen e nivelit të përgjithshëm të hendbollit kosovar.
Po ashtu, kemi punuar në rritjen e bashkëpunimit me federatat ndërkombëtare dhe sigurimin e mbështetjes për projekte zhvillimore.
Megjithatë, projekti që më brengos më shumë dhe që ende nuk ka arritur të realizohet për shkak të krizës financiare është zhvillimi i një programi afatgjatë për akademitë e hendbollit dhe krijimi i qendrave rajonale të zhvillimit për të rinjtë. Ky projekt do të ndikonte drejtpërdrejt në krijimin e një baze më të gjerë të lojtarëve dhe në ngritjen e cilësisë së hendbollit në Kosovë.
Gjithashtu, mbetet sfidë edhe sigurimi i financimit të qëndrueshëm për klubet dhe investimi në infrastrukturë sportive, që është thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm të hendbollit.
Besoj se me bashkëpunim më të madh ndërinstitucional dhe me mbështetje më të fuqishme financiare, këto projekte do të realizohen në të ardhmen e afërt dhe do të sjellin një zhvillim të qëndrueshëm për hendbollin në Kosovë.