Ndeshje me shumë rivalitet kanë luajtur Besa Famgas e Llapi, të enjten mbrëma në Banjë.
Dhe në fund takimi i vlefshëm për xhiron e 27-të të Superligës së Kosovës në hendboll përfundoi me rezultat të barabartë, 34:34.
Për Llapin është pikë e madhe dhe e fituar ndaj Besës pas një kohe shumë të gjatë.
Në minutën e 59-të skuadra pejane kishte epërsi 33:31. Por më pas Llapi shënoi tre gola rresht për 34:33. Në fund skuadra e Besës shënoi për 34:34.
Deniz Terziqi i shënoi 11 gola për Besa Famgas, kurse dhjetë i kishte Mohamed Yassin.
Te Llapi, Victor Ramirez i shënoi tetë gola, kurse shtatë i shtoi Santos Kaique.
Po të enjten Trepça fitoi ndaj Vushtrrisë me rezultat 55:35. Plot 23 gola për ekipin mitrovicas i shënoi Sali Maxhera. Nëntë i kishte Ermir Smaka. Bleon Gela ishte më efikasi te vendasit me nëntë gola. Muhamed Halili e Leonard Krasniqi i kishin nga shtatë.
Besa Famgas është e treta me 38 pikë, por ka dy ndeshje më pak. Llapi është i katërti me 22 pikë, sa i ka edhe Vëllaznimi në vendin e pestë.
Trepça me fitore u kthye në vendin e gjashtë me 18 pikë, një më shumë se Prishtina. Vushtrria është e fundit.