Kastrioti i Ferizajt e ka fituar Kupën e Kosovës në hendboll në dy vjetët e fundit.
Dhe ferizajasit janë të vendosur të vazhdojnë dominimin në këtë garë.
Kastrioti ka siguruar vendin e parë për plejofin e Superligës, por fillimisht gjithë fokusin e ka te turneu final i Kupës, që zhvillohet pikërisht në shtëpinë e kësaj skuadre, në arenën “Bill Clinton” në Ferizaj.
Në gjysmëfinale, të shtunën nga ora 20:00, Kastrioti luan me Rahovecin.
“Do të jetë ndeshje e fortë. Është ndeshje me vlerë të madhe, për vend në finale të Kupës.
Do të japim atomin e fundit që ta realizojmë objektivin që kemi – të hyjmë në finale e më pas ta fitojmë atë.
Kemi kundërshtar të fortë, por besoj te grupi i lojtarëve”, ka thënë hendbollisti me përvojë i Kastriotit, Jeton Bislimi.
Numri i shikuesve pritet të jetë i madh për Final4 të Kupës.
“Me ndihmën e shikuesve, që do të jenë në numër të madh, besoj se do të hyjmë në finale dhe do ta mbajmë trofeun e Kupës së Kosovës në qytetin e hendbollit”, ka shtuar Bislimi.