Në pranverën e vitit 1996, kur sporti në Kosovë zhvillohej në rrethana jashtëzakonisht të vështira dhe nën okupimin serb, Mexhit Devaja ishte në krye të Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Në ato momente, gjatë zgjedhjes së Besim Hasanit në krye të Komitetit Olimpik të Kosovës, Devaja iu afrua dhe me shumë sinqeritet i tha:
“Unë jam Mexhit Devaja, kryetar i Federatës së Hendbollit”.
Ishin fjalë të thjeshta, por që do të shndërroheshin në fillimin e një bashkëpunimi të madh për sportin dhe për lëvizjen olimpike të Kosovës.
Pas tetë viteve pune, sakrifice, lobimi dhe përkushtimi të jashtëzakonshëm, Devaja arriti atë që për shumëkënd dukej vetëm një iluzion. Në vitin 2004, Federata e Hendbollit e Kosovës u pranua në Federatën Evropiane të Hendbollit (EHF), duke shkruar një nga kapitujt më të rëndësishëm në historinë e sportit të Kosovës.
Ky sukses ishte rezultat i një pune të gjatë në kohë izolimi sportiv dhe politik, kur pak njerëz besonin se federatat sportive të Kosovës mund të fitonin njohje ndërkombëtare. Megjithatë, Mexhit Devaja nuk u dorëzua asnjëherë dhe me këmbëngulje e vizion e bëri realitet synimin e tij historik.
“Prishtinë, pranverë, më 26 maj 1996, në nënkulmin e shtëpisë së shndërruar në restaurantin "Cajro 2" hynin përfaqësuesit e federatave të degëve sportive të Kosovës, të caktuar si delegatë për Asamblenë e Dytë Zgjedhore të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Nën udhëheqjen e Akademikut, Esat Stavileci dhe profesor Arsim Fehmiut, kuvendarët, me vota të fshehta, më zgjodhën kryetar të Komitetit Olimpik të Kosovës. Dominoi vullneti i tyre që institucionin më të lartë sportiv ta udhëheq njeriu, që vjen nga sporti, e jo politika, së paku kështu deklaroheshin kuvendarët.
Me statutin e Komitetit Olimpik të Kosovës ishte e definuar që kryetari të zgjedh 10 anëtarë të Bordit Ekzekutiv. E konsideroja detyrë të rëndë!
Deri sa më shtrëngoheshin duar nga delegatët që përzemërsisht më dëshironin e uronin për zgjedhjen në postin e kryetarit të KOK-ut, në kokën time silleshin vërdallë dilema dhe ndjenja e përgjegjësisë që dominonte mbi emocionet e gëzimit.
Në këto momente, para meje u shtri një burrë rreth të pesëdhjetave, i cili me një buzëqeshje të veçantë dhe dalluese e mbi të gjitha edhe të zëshme, me dy duart e tij shtrëngoi dorën time, duke më thënë: “U gëzova shumë që u zgjodhe, nuk e ke lehtë, por llogarit në ndihmën time dhe të Federatës së Hendbollit. Unë jam Mexhit Devaja, kryetar i Federatës së Hendbollit”.
Mbase kjo më nevojitet në këto momente, sepse ndjeva një lehtësi për faktin se do të kam ndihmë, mbështetje dhe përkrahje në udhëheqjen e Lëvizjes Olimpike në Kosovë, në këtë mision sa të rëndë e sfidues po aq të rëndësishëm edhe të rrezikshëm, e në të cilin hyra pa njohuri të mjaftueshme e të nevojshme.
Aty për aty “u thye akulli”. Qetësisht fillova të ndjehem i relaksuar dhe komod! Madje edhe i sigurt!
Dhe vërtetë në momentet më delikate, Mexhitin e kisha afër, madje shumë afër edhe pse udhëtonte nga Gjilani, duke kaluar disa pika ndalesa policore, të cilat nga dita në në ditë bëheshin më agresive sepse edhe sporti u doli nga kontrolli.
Para tyre, afër dhe rreth tyre, në terrene të adaptuara, në nënkulme dhe bodrume, në fusha të kthyera në stadiume, në çdo cep të Kosovës mbaheshin garat e ndryshme sportive. Motivacioni dhe ideali, për të mos qenë qytetar të rendit të dytë, ishte shumë i lartë dhe kishte tejkaluar çdo frikë, madje edhe vdekja që frymonte kudo në Kosovë.
Ambientet sportive ishin të improvizuara, por të vizituara nga mijëra shikues andaj sportistët jepnin maksimumin! Pavarësisht, nga të gjitha, shikuesit dhe sponsorët e donatorët e mbështesnin sportin, andaj organizohej liga, kampionati, kupa etj., sikur në çdo vend tjetër të botës por me një dallim përmbajtësor, e tëra kjo bëhej pa lejen dhe nën tytat e regjimit serb.
Kjo mosbindje e bënte nervoz regjimin serb! Për aq sa kalonte koha, në gjerësinë dhe thellësinë e ngjarjeve rritej frustracioni i policëve serbë dhe i forcave tjera paramilitare!
Mexhitin, por edhe drejtuesit tjerë të sportit, kjo nuk i pengonte. Asnjëherë nuk u ndalën së ndihmuari Lëvizjen Olimpike. Së bashku ishim në të gjitha manifestimet për Ditën dhe Javën Olimpike, në demonstratat për të shprehur revoltën e hapur ndaj regjimit serb dhe për domosdoshmërinë e sjelljes së NATO-s në Kosovë. Ishim bashkë gjatë përcjelljes së informatave tek institucionet ndërkombëtare për shkeljen e të drejtave të njeriut. Ishim bashkë edhe në takimet e drejtpërdrejta kur na vizitonin delegacionet e ndryshme nga Evropa e Bota. Ishim bashkë në pjesëmarrjen, përkrahjen dhe mbështetjen e të gjitha aktiviteteve relevante të federatave dhe klubeve të shumta sportive të Kosovës.
Disa herë shkuam në Shqipëri, madje duke kaluar kufirin malazezo-shqiptar nëpër liqe, me gjithë rreziqet që bartte në vete kalimi ilegal i kufirit. Syri vërr nuk i bëri asnjëherë!
Mexhiti kishte obligime të shumta, jo vetëm në Komitetin Olimpik të Kosovës dhe në Hendboll, por edhe në fusha të tjera dhe asnjëherë nuk ndalej, asnjëherë nuk arsyetohej edhe kur kishte hapësirë arsyetimi!
Nuk hezitonte së vepruari kur vrojtonte se disa të tjerë mund të bëheshin më mirë, nga më shumë anëtarë të Lëvizjes Olimpike dhe nga segmentet tjera të institucioneve të Kosovës.
Me gjithë nga këta ai nuk zmbrapsej, nuk ndalej, por shikonte cakun dhe sigurt shkonte drejt tij.
Falë vizionit të qartë, gatishmërisë së përhershme për realizim të objektivave, në mandatet tjera ishte personi më i votuar për ta udhëhequr Lëvizjen Olimpike në Kosovë.
Periudha e pasluftës kërkonte cilësi tipare dhe virtyte tjera. Nuk mjaftonte guximi dhe kuraja e veprimit nën tytat e automatikëve.
Kishte nevojë për vizion dhe drejtim, për aftësi komunikuese dhe për shkathtësinë e artit të negocimit dhe diplomacisë.
Këta ishin të kalitura në karakterin e fuqishëm të kolegut dhe mikut tim, Mexhitit. Ai me entuziazmin e pashoq ia mbërriti misionit të rëndë, anëtarësimit të Federatës së Hendbollit të Kosovës në Federatën Evropiane dhe Botërore.
Dhe ia doli që nga viti 2004 merrte pjesë në Kampionatet e klubeve Evropiane të Hendbollit e nga viti 2007 nën udhëheqjen autoritative të tij kjo federatë anëtarësohet edhe në Federatën Botërore të Hendbollit (IHF).
Mexhiti u bë pjesë e pandarë e lobimit për anëtarësimin e Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Kësaj, duke i paraprirë pranimi paraprak i 5 Federatave Olimpike të Kosovës në Federatat përkatëse ndërkombëtare. Pak takime të kësaj natyre mbaj mend ku me mua nuk ishte prezent z. Devaja.
Ai fitoi simpati të lartë të Ekzekutivit të KON dhe të Federatave Ndërkombëtare...’, ka shkruar në librin e Mexhit Devajës Besim Hasani, ish kryetar i KOK-ut.