Pas fitores së madhe në Samadrexhë, Shqiponja synon tjetër hap vendimtar drejt titullit të kampionit të Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.
Ndërkohë Samadrexha synon ta përmirësojë gabimin, duke barazuar në 1:1 rezultatin në serinë finale të plejofit.
Ndeshja e dytë finale e plejofit mes Shqiponjës dhe Samadrexhës zhvillohet të shtunën (nesër) prej orës 20:00 në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.
Hendbollistet e Shqiponjës do të tentojnë të përfitojnë nga terreni vendas dhe momenti pozitiv për ta dërguar në 2:0 rezultatin në serinë finale. Por samadrexhaset udhëtojnë me plane të tjera – të mobilizuara për fitoren e parë në finale.
Pritet ndeshje e fortë dhe dramatike, ashtu siç ishte e para, e zhvilluar të mërkurën në Samadrexhë.
Skuadra që i shënon tri fitore shpallet kampione.
Skuadra gjakovare e fitoi 23:22 finalen e parë.