Shqiponja e Gjakovës është para finales së katërt të play – off-it të Kampionatit të Kosovës hendboll.
Vashat gjakovare do të ndeshen me fituesen e Kupës së Kosovës, Samadrexhën.
Samadrexha kërkon triumfin dhe të barazohet në seri të fitoreve, ndërsa Shqiponja të festojë titullin dhe ta rikthejë pas tetë vitesh në vitrinat e tyre.
“Nesër na pret ndeshja më e rëndësishme e sezonit kundër KHF Samadrexhës. Një ndeshje ku japim gjithçka në fushë për fanellën, për klubin dhe për qytetin tonë. Seria momentalisht është 2:1 për ne dhe jemi vetëm një fitore larg titullit kampion të Kosovës në Superligën e Femrave.
Ndeshja zhvillohet nesër nga ora 19:00 në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, dhe me rast të fitores do të dorëzohet kupa e kampionit.
Për këtë arsye kemi nevojë për secilin prej jush. Na duhet zëri juaj, energjia juaj dhe përkrahja juaj nga minuta e parë deri në fund. Ejani të gjithë dhe bëhuni lojtari ynë i 8-të në fushë, sepse bashkë jemi më të fortë.
Le ta mbushim palestrën, le ta krijojmë atmosferën që i ka hije Gjakovës dhe bashkë ta sjellim kupën në qytetin tonë!”, ka bërë të ditur Shqiponja.