Sportistja e Kosovës: Pabesisht familjarët e mi u sulmuan në rrugë nga tifozët e Samadrexhës

Hendboll

Sportistja e Kosovës: Pabesisht familjarët e mi u sulmuan në rrugë nga tifozët e Samadrexhës

Nga: K.G. Më: 29 maj 2026 Në ora: 14:14
Kështu ishte me tym palestra mbrëmë në Samadrexhë, ndeshja u ndërpre mbi 1 orë e 15 minuta

Hendbollistja e Shqiponjës së Gjakovës, Alma Nivokazi, është e trishtuar me atë çfarë ndodhi gjatë dhe pas finales së play-off-it të Kampionatit të Kosovës në hendboll (femra).

Vashat e Samadrexhës shënuan fitore në ndeshjen e pestë të finales me rezultat 25:23 dhe triumfuan në seri të finaleve me 3:2.   

“Humbja e një loje dhemb, por kalon. 

Sporti të mëson ta pranosh rezultatin, të ngrihesh dhe të vazhdosh përpara. 

Por ajo që ndodhi pas ndeshjes në Samadrexhë nuk ka asnjë lidhje me sportin.

Pabesisht tifozët tanë të ekipit të cilët ishin të gjithë Familjarët e mi u sulmuan në rrugë nga tifozët e Samadrexhës.

Njerëzit e mi, që udhëtuan vetëm për të më mbështetur, për të më parë duke luftuar në fushë, për të qenë pranë meje në çdo fitore e çdo humbje. 

Kjo më dhemb edhe më shumë sepse kur ata kanë ardhur në Gjakovë, ne i kemi pritur me respekt, edukatë dhe mirësi.

Sepse kështu është tradita në qytetin tonë, në vendin tonë.

Të respektojmë mysafirin, kundërshtarin dhe sportin. 

Gjatë gjithë ndeshjes pati fyerje, kërcënime dhe ofendime, jo vetëm ndaj nesh si ekip, por edhe ndaj familjeve tona që ishin aty vetem për të na dhënë forcë.

Ju mund të na ndalni një fitore, të më kritikoni mua, të festoni mbi humbjen time, por kurrë nuk mund të na merrni dinjitetin, atë që ju nuk e keni.

Unë mund të përballoj gjithçka. Mund t’i përballoj ofendimet, presionin, kritikat dhe zhgënjimin. Por nuk mund ta përballoj dot të prekni ata që më mësuan vlerat, edukatën dhe respektin, Familjen time.

Për atë të cilët ju nuk e njihni si term.

Nuk mund ta përshkruaj me fjalë çfarë ndjeva mbrëmë kur e kuptova se njerëzit e mi nuk ishin të sigurt vetëm pse erdhën për mbështetje.

Sporti pa respekt nuk ka vlerë. 

Fitorja pa njerëzillëk nuk është krenari. 

Dhe askush nuk duhet ta harrojë këtë.

Mbrëmë nuk humbëm vetëm një ndeshje. 

Mbrëmë humbi sporti. Humbën vlerat. Humbën njerëzit që nuk dinë të fitojnë pa urrejtje.

Dua të falënderoj secilin njeri që më telefonoi për të më pyetur dhe secilin njeri që ishte mbrëmë pranë nesh!”, ka reaguar hendbollistja Nivokazi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat