Barcelona kualifikohet në finale pas 70 minutash!

Hendboll

Barcelona kualifikohet në finale pas 70 minutash!

Nga: K.Goca Më: 13 qershor 2026 Në ora: 20:35
Pamje nga ndeshja

Skuadra e Barcelonës është finalisti i dytë në Champions Le4ague në hendboll, pasi në një gjysmëfinale dramatike triumfoi ndaj Aalborgut danez me rezultat 37:32 pas vazhdimeve dy herë nga 5 minuta, pasi koha e rregullt përfundoi baras 28:28.

Në dhjetë minutat shtesë dominoi Barcelona, e udhëhequr nga portieri fantastik Emil Nielsen me 16 pritje, duke mos lejuar Aalborgun e motivuar ta kompletonte rikthimin e madh nga fundi i pjesës së dytë.

Në finalen për titullin, Barcelona do të përballet me Fuchse Berlin, që në gjysmëfinalen e parë mposhti Magdeburgun.

Pas rezultatit të barabartë 4:4 pas dhjetë minutash lojë, Nielsen hyri në seri të shkëlqyer dhe gjiganti katalanas realizoi katër gola radhazi për të kaluar në epërsi 8:4, diferenca e parë më serioze në takim.

Fabregas e ngriti avantazhin në plus pesë (11:6), duke detyruar trajnerin Dal të kërkonte minutë pushimi për të qetësuar skuadrën e tij. Megjithatë, deri në fund të pjesës së parë, Barça mbajti kontrollin e lojës dhe shkoi në pushim me epërsi 15:11.

Juri Knorr realizoi gol ndaj Nielsen nga një gjuajtje e lirë pas përfundimit të kohës, por vëllezërit Konjiçanin, pas rishikimit të videos, vendosën se gjuajtja nuk ishte në përputhje me rregullat dhe e anuluan golin.

Aalborgu nuk u dorëzua në tentimin për rikthim. Me kalimin e kohës, skuadra daneze filloi të afrohej gradualisht në rezultat, ndërsa kulmi erdhi në pesë minutat e fundit të ndeshjes.

Edhe pse Landin ishte solid, në lojë hyri Norsten dhjetë minuta para fundit. Ai ndali një rast të pastër të Baruffet, ndërsa Aalborgu nisi ofensivën për barazim, të cilën Arnoldsen e konkretizoi me gol për 28:28.

Ortega kërkoi pushim 70 sekonda para fundit, por N’Guessan gaboi në sulm. Edhe Aalborgu humbi mundësinë për ta fituar ndeshjen. Kur kishin mbetur edhe tri sekonda lojë, Nielsen nisi një kundërsulm të shpejtë, Gomez shënoi, por gjyqtarët e anuluan golin pasi nuk ishte realizuar brenda kohës së rregullt.

Ndeshja shkoi në vazhdime dy herë nga pesë minuta, ku Barcelona dominoi plotësisht. Barça kaloi në epërsi 33:30 dhe më pas nuk kishte më dilema për fituesin.

Gjiganti katalanas siguroi finalen pas një beteje të madhe 70-minutëshe dhe tani do të luftojë për trofeun e Champions League kundër Fuchse Berlin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat