Barcelona në fronin e Evropës!

Hendboll

Barcelona në fronin e Evropës!

Nga: K.G. Më: 14 qershor 2026 Në ora: 20:01
Barcelona

Në një finale interesante dhe emocionuese para një audience të stërmbushur në Lanxess Arena në Këln, Barcelona e mposhti Fuchse Berlin me rezultat 37:34 (20:16) dhe u rikthye në fronin e Champions League në hendboll pas një viti pauzë.

Për Barçën, ky është titulli i 12-të në formatin modern të Champions League, duke mbetur skuadra më e suksesshme në historinë e kësaj gare.

Barça e nisi më mirë ndeshjen dhe krijoi epërsi minimale në minutat e para, falë edhe huqjeve të shumta të lojtarëve të Berlinit.

Portieri Nielsen realizoi disa pritje të rëndësishme në fillim, duke ua vështirësuar punën “dhelprave”, ndërsa skuadra katalanase krijoi avantazh prej dy golash që në minutën e shtatë.

Në mesin e pjesës së parë, Barça luajti me ritëm të shpejtë, duke dominuar tranzicionet dhe sulmet e shpejta, çka i solli edhe rritje të epërsisë.

Megjithatë, Füchse Berlin pati shumë raste të humbura dhe nuk arriti të rivalizojë plotësisht me ritmin e Barçës.

Nga ana tjetër, edhe katalanasit bënë disa gabime teknike në sulm.

Portierët luajtën rol vendimtar, sa herë që Milosavljev priste goditje, Berlini afrohej në rezultat, ndërsa pritjet e Nielsenit i rikthenin avantazhin Barçës, me diferencën që lëvizte rreth tre golave.

Në minutën e 21-të, Gomes ndërpreu një pasim të Mathias Gidsel drejt Lasse Andersson dhe realizoi në portën bosh për epërsi prej katër golash.

Menjëherë më pas, Nielsen pati një tjetër ndërhyrje të suksesshme, ndërsa Blaž Janc çoi rezultatin në 14:9. Barça e ruajti këtë diferencë deri në fund të pjesës së parë, e cila u mbyll me golin e Gidselit për rezultatin 20:16.

Menjëherë pas pushimit, Berlini shënoi dy gola radhazi, por përjashtimi i Anderssonit ua prishi ritmin. Barça reagoi shpejt dhe riktheu diferencën e pjesës së parë. Nielsen vazhdoi me pritje vendimtare, ndërsa Janc dhe Frade e çuan epërsinë në gjashtë gola, 25:19 në minutën e 38-të.

Kjo alarmoi bankinën e Berlinit, e cila reagoi me mbrojtje presingu. Milosavljev pati disa ndërhyrje të mira, por edhe Nielsen në anën tjetër ishte në formë të jashtëzakonshme.

Kur Berlini u rikthye në mbrojtjen 6-0, diferenca nisi të shkrihej dhe në mesin e pjesës së dytë u përgjysmua në vetëm tre gola.

Trajneri Krakau provoi edhe një valë tjetër presingu, por pa sukses. Në minutën e 53-të, pas një gjuajtjeje të humbur nga larg e Cikushës, Berlini u afrua në vetëm dy gola diferencë.

Fundin e takimit e shënuan edhe dy kartonë të kuq — për Ludovic Fabregas te Barça dhe Darj te Berlini, pas ndërhyrjeve të ngjashme në dorën e kundërshtarit gjatë gjuajtjeve drejt portës.

Në pesë minutat e fundit, Barça tregoi përvojë dhe qetësi për ta ruajtur epërsinë, falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes sllovenëve Blaž Janc dhe Domen Makuc.

Berlini pati edhe një sulm për t’u afruar në vetëm një gol, por Cikusha ndërpreu topin dhe vulosi fitoren e Barçës, e cila u shpall sërish mbretëresha e hendbollit evropian.

Hendbollisti Frade realizoi 7 gola për Barçën, Gomes shtoi 6, ndërsa Janc dhe Makuc shënuan nga 5 secili. Te Berlini, Gidsel realizoi 8 gola, ndërsa Andersson 7.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat