Skuadra shqiptare feston fitoren e parë në Maqedoninë e Veriut

Hendboll

Skuadra shqiptare feston fitoren e parë në Maqedoninë e Veriut

Nga: K.G. Më: 15 shtator 2026 Në ora: 16:53
Çairi

Nënkampionja e Maqedonisë së Veriut, skuadra shqiptare e hendbollit Çairi, e regjistroi fitoren e parë të sezonit në Superligën e Femrave, pasi triumfoi ndaj Atletikut me rezultat 25:22.

Mysafiret u treguan si një kundërshtar shumë i vështirë gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes dhe vendaset, të cilat ende nuk mund të llogarisin në të gjitha përforcimet e tyre, u desh të djersitnin mirë për ta fituar këtë përballje.

Çairi e mbylli pjesën e parë në epërsi 14:13, por gjatë 12 minutave të pjesës së dytë nuk arriti të shënonte. Në portën e Atletikut, portierja Ivanoviq pati disa pritje radhazi.

Atletiku ka avancuar me 21:20, kur kishin mbetur edhe shtatë minuta deri në fund. Por më pas mysafiret filluan të gabonin, ndërsa Çairi shënonte pikërisht atëherë kur duhej më së shumti.

Dy minuta para përfundimit, Çairi kishte krijuar një epërsi të rehatshme, kështu që vajzat e drejtuara nga trajneri Basri Latifi mundën të merrnin frymë dhe ta ruanin në mënyrë rutinore avantazhin deri në fund.

Te Çairi, golashënueset më të mira ishin Abdalla me pesë gola, ndërsa Kolovska, Damçevska dhe Gjorgjievska shënuan nga katër gola.

Te Atletiku, Veliçkovska shënoi gjashtë gola, ndërsa Damjanovska realizoi pesë gola.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat