Kombëtarja e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave për herë të gjashtë do të paraqitet në kualifikimet për Kampionat Botëror.
Të premten prej orës 20:00 dhe të shtunën prej orës 17:00, vajzat tona përballen me Estoninë. Të dy ndeshjet zhvillohen në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
Kombëtarja më e suksesshme pas dy ndeshjeve avancon në raundin e fundit kualifikues për Botërorin e vitit të ardhshëm.
Kosova në dy kampanjat e kaluara e mbylli me sukses raundin e parë kualifikues.
Për Botërorin 2023, Kombëtarja jonë luajti dy ndeshjet e para në shtëpi.
Më 3 nëntor 2022 në Istog fitoi 27:24 ndaj Ishujve Faroe. Më 5 nëntor 2022, Ishujt Faroe fituan 29:28, por tutje avancoi Kombëtarja jonë. Në raundin e dytë kualifikues Kombëtarja jonë nuk kishte fat në short dhe u eliminua nga Polonia.
Për Botërorin 2025, raundi i parë kualifikues ishte me fazë grupore. Në Hasselt të Belgjikës, më 25 tetor 2024, Kosova fitoi 32:28 ndaj Belgjikës.
Një ditë më pas vajzat tona shkëlqyen sërish për fitore edhe më bindëse ndaj Bosnjë-Hercegovinës, 32:26.
Sërish Kombëtares sonë i mungoi fati për fazën e dytë kualifikuese. U përball me Suedinë dhe u eliminua.
Ndaj Estonisë, Kombëtarja jonë vlerësohet favorite. Por vajzave tona u duhet përkrahja për ta kaluar me sukses pengesën e parë.