​Bahtiri kërkon heqjen e orës policore: Po krijon depresion te qytetarët

Kosova

​Bahtiri kërkon heqjen e orës policore: Po krijon depresion te qytetarët

Më: 1 janar 2021 Në ora: 18:39
Agim Bahtiri

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka kërkuar sot heqjen e orës policore në të gjitha qytetet e Kosovës.

Ora policore është vendosur si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, por i pari i Mitrovicës thotë se një gjë e tillë nuk i uli rastet e prekura me virus.

Sipas Bahtirit, vendosja e orës policore si masë kundër koronavirusit ishte vetëm sa për sy e faqe dhe si rezultat i mungesës së një vizioni të duhur për menaxhimin e pandemisë.

“Qytetarët e Mitrovicës dhe mërgimtarët tanë të dashur, janë lodhur nga ky keqmenaxhim i pandemisë. Orët policore tashmë janë bërë të bezdisshme, ato kanë mbjellë farën e depresionit, stresit dhe ngarkesës psikike te të gjithë ne. Ora policore asnjëherë nuk i uli rastet e prekura me virus, sepse në fakt kjo masë ishte vetëm sa për sy e faqe, në mungesë të një vizion të duhur për menaxhimin e pandemisë", shkruan Bahtiri në Facebook.

Postimi i plotë

Qeveria ilegale që me mandat të vjedhur uzurpoi objektin e Qeverisë dhe mbajti peng në mënyrë të paligjshne ekzekutivin e vendit, jo vetëm që udhëhoqi në mënyrë katastrofale me vendin, por edhe tentoi që përmes përpjekjeve të ulta t'i vendos përpara aktit të kryer qeverisjet komunale.

Qytetarët e Mitrovicës dhe mërgimtarët tanë të dashur, janë lodhur nga ky keqmenaxhim i pandemisë. Orët policore tashmë janë bërë të bezdisshme, ato kanë mbjellur farën e depresionit, stresit dhe ngarkesës psiqike tek të gjithë ne. Ora policore asnjëherë nuk i uli rastet e prekura me virus, sepse në fakt kjo masë ishte vetëm sa për sy e faqe, në mungesë të një vizion të duhur për menaxhimin e pandemisë.

Nuk mjafton që sot është hequr ora policore në Mitrovicë, por ajo duhet të largohet si masë në të gjitha qytetet e Kosovës. Ky është vullnet i qytetarëve, i njerëzve të biznesit dhe mbi të gjitha i bashkatdhetarëve tanë të mrekullueshëm.

AB

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat