Studentët të lodhur nga mësimi online: Ligjëratat në semestrin e dytë të mbahen fizikisht

Kosova

Studentët të lodhur nga mësimi online: Ligjëratat në semestrin e dytë të mbahen fizikisht

Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 11:11
Foto ilustruese

Studentët e Universitetit të Prishtinës, kërkojnë që ligjëratat e semestrit  të dytë i cili fillon më 15 shkurt, t’i ndjekin në mënyrë fizike.

Kryetari i Parlamentit Studentor të UP-së, Erzen Hyseni, thotë se nga informacionet që ata kanë kërkesat e tyre janë pranuar dhe vetëm po pritet vendimi përfundimtar

Në mesin e kërkesave nga studentët ka qenë edhe përgjysmimi i pagesës së semestrit.

“Këto kërkesa tonat të cilat ne i kemi realizuar, kanë qenë kërkesa emergjente, pasi që ne e dimë që semestri i ri fillon me 15 shkurt, veç e kemi pasur obligative që të takohemi me kryeministrin dhe t’i adresojmë këto probleme, në këto kërkesat kryesore tonat kanë qenë zvogëlimi i pagesës së semestrit për nivelin master 50%, për nivel doktoratës 50%, gjithashtu lirimi i pagesës prej semestrit d.m.th të gjithë studentëve, të nivelit bachelor, kjo ka qenë obligative të bëhet takimi në këtë periudhë kohore. Është premtuar që do realizohet, kemi marrë fjalë, vendimet janë duke u përgatitur, sepse na kanë mbajtur në informacion vazhdimisht”, u shpreh Hyseni.

Ai thotë se ndjekja e ligjëratave online ka nisur të bojkotohet nga studentët.

“Shumica e studentëve kanë kërkuar mësim fizik, për faktin që nga mësimi online kanë filluar të lodhen paksa dhe interesimi ka rënë”, është shprehur i pari i Parlamentit Studentor.

Ai thotë se në fakultet ku numri i studentëve është më i vogël ligjëratat mund të mbahen pa problem, ndërsa në fakultet ku ka numër të madh të studentëve duhet të ndahen në grupe.

“Në disa fakultete ku numri i studentëve është më i vogël ka hapësirë më të madhe, e në disa fakultete të mëdha duhet të ndahen studentët në grupe më të mëdha që nënkuptojmë në rast që kanë qenë dy grupe të bëhen katër grupe, në mënyrë që të ju mundësohet të gjithëve mësimi fizik. shtoi tutje ai.

Studentja, Megzime Ibrahimi tha që me kalimin e kohës, interesimi i studentëve për mësimin online pësoi një rënie graduale. Sipas saj mësimi fizik është më i kapshëm, dhe më i lehtë edhe për punën praktike të studentëve nëpër fakultete.

“Fillimisht do të thotë mbajtja e ligjëratave online ka qenë diçka atraktive, diçka e re për ne si studentë, edhe interesimi i studentëve ka qenë më i madh, mirëpo me kalimin e kohës e kemi parë një rënie graduale të interesimit, si nga ana e studentëve poashtu edhe nga ana e profesorëve, dhe problemet e vogla të cilat kanë qenë dmth dërgimi i ftesave nga ana e profesorëve për google meet, rënia e rrjetit apo edhe probleme të tilla të vogla të cilat e kanë pamundësuar qasjen e studentëve në këto platformë”, tha studentja Ibrahimi.

Ajo tha që janë shumë pro mësimit fizik, dhe janë të vetëdijshëm që duhet mbrojtur dhe të respektohen rregullat nga ekspertët e shëndetësisë.

“Ne padyshim po presim vetëm vendimin nga organet gjegjëse, mirëpo jemi shumë pro për mbajtjen e mësimit në mënyrë fizike, kemi edhe nga ata studentë të cilët kanë frikë për shkak të gjendjes aktuale nga pandemia, mirëpo mendoj që jemi mjaft të vetëdijshëm edhe kemi mundësi të mbrohemi, t’i respektojmë rregullat të cilat vetëm janë të caktuara nga ekspertët e shëndetësisë”, përfundoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat