Rudari për Bulliqin: Na ka paralajmëruar me “bishta sakice”, llapjanët s’meritojnë kryetar që i rrah

Kosova

Rudari për Bulliqin: Na ka paralajmëruar me “bishta sakice”, llapjanët s’meritojnë kryetar që i rrah

Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 15:19
Nexhmi Rudari, Shpejtim Bulliqi

Sot nga mediat është publikuar një video-incizim i skandalit të kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi i cili shihet duke e sulmuar një qytetar.

Bulliqi gjatë ditës së djeshme i kishte mohuar raportimet në media dhe denoncimin e qytetarit në fjalë, por gjatë ditës së sotme është publikuar video e cila ka shuar dyshimet lidhur me këtë rast.

Derisa as Bulliqi e as zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje ende nuk kanë reaguar për rastin, media ka kontaktuar me kundër-kandidatin e Bulliqit në zgjedhjet e fundit lokale në Podujevë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Nexhmi Rudarin.

Rudari është shprehur se Bulliqi ka paralajmëruar në fushatë edhe “bishta të sakicës”, por sipas tij është akt i shëmtuar dhe për keqardhje.

Tutje, Rudari shprehet se qytetari që është sulmuar nga Bulliqi është i sjellshëm dhe i urtë, ani pse nuk i di arsyet e këtij incidenti.

“Faktikisht na ka paralajmëruar në fushatë, kur ka përmendur bishtin e sakicës e kemi për dikë që nuk rri rehat e urt. Është për keqardhje, akt i shëmtuar, nuk e di cilat kanë qenë motivet e aktit, por sido që të jetë, më vie keq që një kryetar komune që e ka fituar besimin e qytetarëve të bie në atë nivel. Më vie keq edhe për punëtorin që kam punuar gjatë me të, është i sjellshëm, i urtë, nuk e di si ka ardhur deri tek incidenti, përveç asaj që është parë në media”, tha Rudari.

Gjithashtu Rudari lidhur me cilësimet e këtij rasti si “vetmbrojtje”, nga ana e Bulliqit ka thënë se punëtori të cilin e ka sulmuar kryetari i Podujevës, nuk e sulmon askënd.

“Nga pamjet nuk shihej që ka vetmbrojtje nëse është video e plotë por them të drejtën duke e njohur ish-punëtorin, personalitetin e tij, nuk besoj se ai e sulmon dikë”, tha Rudari.

Në fund, Rudari duke komentuar mundësinë e dorëheqjes së Bulliqit tha se i njëjti duhet të japë përgjegjësi para votuesve të tij dhe siç shprehet ai “qytetarët llapjanë nuk e meritojnë një kryetar që i rrah”.

“Është e tij të vendosë, të japë llogari fillimisht para votuesve dhe llapjanëve sepse qytetarët llapjanë nuk e meritojnë një kryetar që i rrah”, tha Rudari në fund.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat