Mjeku flet për situatën e COVID-19 pas zgjedhjeve në Kosovë

Kosova

Mjeku flet për situatën e COVID-19 pas zgjedhjeve në Kosovë

Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 16:56
Hamdi Ramadani

Mjeku infeksionist, Hamdi Ramadani deklaroi në Euronews Albania se për të pasur një pasqyrë më të detajuar të situatës epidemiologjikë në Kosovë, duhet të presim edhe disa ditë.

Sipas tij, kjo pritje duhet të bëhet pasi Kosova ishte në fushatë elektorale, ku nuk munguan tubimet dhe festimet.

"Duhet të jemi të rezervuar në ditët në vijim, për të parë a do të na rritet situata", u shpreh ai. 

Për kapërcimin e situatës së pandemisë ai tha se “ e vetmja mundësi është imunizimi dhe vaksinimi sa më i shpejtë i popullatës.

“Në Kosovë ende nuk ka filluar një imunizim. Nuk e dimë se kur do të fillojë vaksinimi”, u shpreh mjeku.

“Sa më shumë të zgjatë pandemia COVID-19, jep po aq shumë variante të ndryshme, mutacione”, tha ai më tej.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, regjistroi të mërkurën 297 raste të reja me koronavirus, pas testimit të 2,667 mostrave në institucionet publike dhe ato private.

Në 24 orët e fundit, ky Institut ka regjistruar pesë viktima.

Prej 13 marsit të vitit të kaluar, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 65,065 persona të infektuar me koronavirus.

Prej tyre 1,553 pacientë kanë vdekur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat