Rektori ia uron postin presidentes dhe pjesëtares së stafit akademik, Vjosa Osmanit

Kosova

Rektori ia uron postin presidentes dhe pjesëtares së stafit akademik, Vjosa Osmanit

Më: 8 prill 2021 Në ora: 21:01
Vjosa Osmani

Rektori i UP-së, Naser Sahiti e ka uruar ish-studenten dhe pjesëtaren e stafit akademik, Vjosa Osmanin për marrjen e postit të presidentes.

Përmes kësaj letre, Sahiti tutje ka shtuar se Universiteti i Prishtinës ka përgatitur profesionalisht liderët e vendit, ndërsa ka thënë se UP-ja është e gatshme dhe vullnetplotë që të bashkëpunojë me institucionet vendore.

Më poshtë edhe postimi i plotë:

Vjosa Osmani, mësimdhënëse në Katedrën Ndërkombëtare të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, është zgjedhur Presidente e Republikës së Kosovës.

Karrierën e saj akademike Osmani e ka nisur në UP, ku kreu studimet themelore në fushën e drejtësisë. Presidentja Osmani, pas vijimit të studimeve master dhe të doktoratës jashtë vendit, është rikthyer sërish në UP, ku për vite me radhë ka shërbyer si pjesë e stafit akademik të universitetit tonë.

Me rastin e pranimit të detyrës së saj në krye të vendit tonë, atë e uroi rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti.

Në një letër urimi, Sahiti shprehët i lumtur që një mësimdhënëse e UP-së ka pranuar këtë detyrë, sa të rëndësishme po aq fisnike, siç është detyra e Presidentes së Kosovës.

“Universiteti i Prishtinës, tradicionalisht, ka përgatitur profesionalisht liderët e vendit tonë. Në mesin e liderëve më të rëndësishëm, sigurisht jeni ju, që fillimisht rrugëtimin akademik e keni nisur në tempullin tonë, përkatësisht në Fakultetin Juridik. Përkushtimi juaj ka bërë që ju edhe sot të jeni anëtare e këtij fakulteti të rëndësishëm të UP-së, si pjesë e stafit akademik në Katedrën Ndërkombëtare, duke shërbyer me vullnet dhe profesionalizëm për përgatitjen e gjeneratave të reja”¸ ka thënë rektori Sahiti.

Teksa thekson vullnetin e drejtuesve të UP-së për bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendore, rektori shton që “Jemi të lumtur që studentët tanë, në veçanti vajzat dhe gratë, do të kenë edhe një shembull frymëzues si ju për ta ndjekur për të ardhmen e tyre”.

Letra e urimit përfundon me fjalët së menaxhmenti i UP-së është i bindur që Presidentja Osmani do të shërbejë me përgjegjësi për të gjithë qytetarët e vendit tonë, duke kultivuar frymë të dialogut dhe të bashkëpunimit ndërmjet të gjitha instancave shtetërore.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat