As gjysma e stafit shëndetësor në Kosovë s’është vaksinuar kundër Covid-19

Kosova

As gjysma e stafit shëndetësor në Kosovë s’është vaksinuar kundër Covid-19

Më: 9 prill 2021 Në ora: 20:53
Pamje nga vaksinimi

Nga rreth 13 mijë persona që janë staf shëndetësor në Kosovë, vetëm 5 mijë janë vaksinuar për mbrojtje ndaj Covid-19 deri më tani. Prej tyre, 500 janë vaksinuar në Shqipëri, e të tjerët në Kosovë, me vaksinën e prodhuesit “AstraZeneca”.

Oda e Mjekëve në Kosovë thotë se ky numër i të vaksinuarve është rrjedhojë e mungesës së sqarimeve të duhura nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike se kush mund të vaksinohet.

“Sipas informatave që kemi, mjekët që nuk e kanë kaluar COVID të gjithë janë vaksinuar, e ata që e kanë kaluar kanë pritur. Kjo është një meritë e IKSHPK-së se nuk ka dalë me treguar se kush duhet me u vaksinuar, e kush nuk duhet”, ka thënë Naser Gjonbalaj nga kjo odë.

Mundësinë për t’u vaksinuar nuk e kanë shfrytëzuar as gjysma e personelit shëndetësor në njërën nga komunat më të mëdha të Kosovës.

Në Komunën e Prizrenit, vetëm 40% e personelit shëndetësor janë vaksinuar.

“Numri i përgjithshëm i të regjistruarve të personelit shëndetësor publik dhe privat është 1 mijë, të drejtën për t’u vaksinuar e kanë shfrytëzuar vetëm 40% prej tyre në 5 ditët e para të fillimit të vaksinimit, ditët në vazhdim presim të vijnë edhe pjesa tjetër e mbetur për të zgjedhur formën e vaksinimit, sepse ka dilema nga personeli shëndetësor që mua nuk më vije mirë”, është shprehur Arsim Berisha, përgjegjës i vaksinimit në Prizren.

Derisa, koordinatori i qendrës së vaksinimit në Prishtinë, thotë se pas fillimit të vaksinimit të personave të moshuar, kanë pasur kërkesa nga stafi shëndetësor për t’u vaksinuar.

“Jo, për momentin jo, edhe përkundër që ka pasur kërkesa. Por, me qëllim që të mos duplifikojmë mbi bazën e profesionistëve dhe të moshuarve. Për momentin e kemi të evituar, por gjithsesi edhe ajo pjesë do të jetë në konsideratën tonë. Por, për momentin prioritet e kemi moshën mbi 85 vjeçare”, ka thënë Niman Bardhi, koordinator i qendrës së vaksinimit “1 Tetori”.

Ministria e Shëndetësisë përmes një përgjigjeje me shkrim ka thënë se personeli shëndetësor mund të vazhdojë të vaksinohet edhe ditët në vazhdim, derisa të zbatohet faza e parë e planit shtetëror të vaksinimit.

Tutje, nga ky institucion kanë thënë se interesimi për t’u vaksinuar është duke u rritur, derisa sipas tyre është i paarsyeshëm justifikimi për efektet e vaksinës, shkaku se më mirë këto gjëra i njohin ata.

“Këtyre ditëve është duke u bërë vaksinimi i personave të moshës mbi 80 vjeç, por në kuptimin operacional personeli shëndetësor kanë mundësi që ende të vaksinohen kundër COVID-19, për aq kohe sa është duke u zbatuar faza e parë e Planit të vaksinimit kundër COVID-19, përkatësisht shfrytëzimi i 24 mijë dozave të para. Janë rreth 4.500 profesionistë shëndetësorë që janë vaksinuar deri më tani. Nga ata që janë paraqitur në qendrat e vaksinimit jo, për të tjerë mbetet të shihet, por përderisa ende interesohen se kur mund të vaksinohen, mund të thuhet se interesimi po rritet. I paarsyeshëm, ndërkaq, do të ishte justifikimi në radhët e personelit shëndetësor rreth mungesës së informacionit për vaksinën dhe efektet e saj , sepse, më mirë se kushdo tjetër, këto gjëra duhet t’i njohin ata”, ka thënë MSH-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat